Google search engine
Home Politike Sesioni i ri parlamentar, pritet shkrirja e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme,...

Sesioni i ri parlamentar, pritet shkrirja e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme, ngrihet Agjencia e Mbikëqyrjes Policore

0
228

Javën e dytë të shtatorit konstituohet Parlamenti i ri. Mbledhjen e parë e ka në dorë presidenti, i cili duhet të nxjerrë dekret për mbajtjen e saj. Mandati i deputetëve aktualë mbaron më 9 shtator dhe Meta duhet të vendosë për datën e re. Nëse ai nuk vendos brenda 10 ditësh Parlamenti mblidhet vetë dhe nis normalisht punën. Përveç votimit të programit qeverisës dhe ministrave të rinj, Parlamenti ka në listë dhe një sërë ligjesh që presin dritën emiratit prej muajsh. Sipas të dhënave të siguruara nga faqja zyrtare në internet e Parlamentit, janë 25 ligje që janë në pritje që nga legjislatura e kaluar, disa prej të cilëve ligje mjaft të rëndësishëm. Një ndër ta është ligji për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Bëhet fjalë për një ligj që shkrin Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe ngre një institucion të ri që do të merret me hetimin e policëve që përfshihen në krime apo abuzojnë me detyrën. Sipas relacionit ligji sjell: reformimin e Shërbimit (Agjencisë), si një agjenci inteligjente për të luftuar korrupsionin si dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshmërisë në radhët e subjekteve të agjencisë, duke e përafruar atë me agjencitë e tjera homologe të BE-së; transformimin e Shërbimit (Agjencisë) drejt një modeli më demokratik sipas standardeve të EPAC-ut, si në aspektin e misionit, ashtu edhe në drejtim të përcaktimit të detyrave funksionale, përgjegjësive, ndërtimit strukturor dhe trajtimit të personelit; forcimi i rolit të Shërbimit (Agjencisë), në zbatim të respektimit të parimeve të lirive dhe të të drejtave të njeriut; rritja e kapaciteteve inspektuese dhe hetimore të shërbimit (Agjencisë) për një qasje proaktive ndaj fenomeneve korruptive të evidentuara të subjekteve të shërbimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here