
Procesi i vlerësimit kalimtar për prokurorët dhe gjyqtarët i njohur ndryshe si vetingu në drejtësi, pritet të rinisë, pas pushimeve të gushtit. Gazeta ka siguruar axhendën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili të martën e 7 shtatorit rifillon punën me seancën dëgjimore me Arben Dyla, prokuror/drejtues në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë. Seanca dëgjimore me prokurorin Dyla do të mbahet në orën 10:00 të paradites së të martës së 7 shtatorit në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ndërsa trupa gjykuese do të përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli. Po të martën e 7 shtatorit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën me dije se do të dalë në proces vetingu Adelina Zarka, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. “Subjekti: Znj. Adelina Zarka, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier. Vendi: Pallati i Koncerteve (ish-Pallati i Kongreseve), Salla B, Kati 0. Trupa Gjykuese: Xhensila Pine, Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari”, thuhet në njoftim. Më tej Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se të mërkurë në datën 8 shtator do të dalë në seancë vetingu, gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Kace Agolli. “Subjekti: Znj. Kace Agolli, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vendi: Pallati i Koncerteve (ish-Pallati i Kongreseve), Salla B, Kati 0. Trupa Gjykuese: Xhensila Pine, Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari”, thuhet në njoftimin e KPK. Nga ana tjetër edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit pritet të startojë nga puna, ku në datën 8 shtator në orën 10:00 do të mblidhet për të dhënë vendimin për gjyqtarin Shkëlqim Miri. Ndërkohë, një ditë më pas, pra në datën 9 shtator para KPK në seancës dëgjimore do të dalë gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi.









































