Qeveria e re dhe kreu i ri i Kuvendit do të prezantohen ditën e enjte. Kryeministri Rama lajmëroi se këtë javë do të bëjë të ditur emrat e ministrave dhe pa humbur kohë ka thirrur mbajtjen e Asamblesë së PS në 2 shtator. Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili ka lajmëruar se Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare ditën e enjte. Balla në një njoftim në celularët e deputetëve, bën me dije se mbledhja do të zhvillohet në datën 2 shtator në orën 10, në Pallatin e Kongreseve. Më tej Balla njofton, se rendi i ditës do të bëhet publik ditën e sotme. “Të nderuar anëtarë të AK! Ju njoftojmë se ditën e enjte, datë 2 shtator 2021, ora 10:00, do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë në Pallatin e Kongreseve Tiranë. Rendi i ditës së kësaj mbledhje do të njoftohet nesër. Lutemi merrni masat për pjesëmarrjen e domosdoshme në këtë mbledhje”, tha Balla. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, ende nuk ka bërë të ditur emrat e ministrave të rinj që do të jenë pjesë e qeverisë dhe as se kush do largohet. Rama nuk ka dhënë asnjë informacion deri më tani, se cilët do të jenë ministrat e rinj dhe cilët do të jenë ata të cilët do të largohen nga posti që kanë mbajtur në mandatin e dytë qeverisës. Po ashtu, ka edhe shumë deputetë të cilët pritet që të futen në qeveri dhe duket se ditën e enjte do ti mësojnë të gjithë emrat e rinj që do të vijnë dhe emrat që do largohen. Të vetmit që kryeministri Edi Rama konfirmoi dhe dha garanci që nuk do preken nga drejtësia e re janë kreu i grupit Taulant Balla dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Fakti që vetëm këta dy emra u bënë publik, kjo do të thotë se mund të kemi ndryshime drastike në qeveri. Sipas informacioneve, mësohet po ashtu, se do të ketë ndarje të disa ministrive në vend, kështu Ministria e Energjitikës mund të jetë ministri më vete dhe të ndahet nga ajo e Infrastrukturës, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të ndahet nga ajo e Mbrojtjes Sociale.
Zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së PS
Ndërkohë, një nga vendimet që pritet që të merret në mbledhjen që do të zhvillohet të enjten do të jetë edhe zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit si edhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Kryesisë së Partisë Socialiste. Paralajmërimin e ka dhënë vetë kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, gjatë takimit përmbyllës që zhvilloi me qeverinë aktuale në kryeministri. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi se Partia Socialiste ka nevojë për një Kryesi të re dhe energjike, duke lënë të nënkuptohet se do të ketë furtunë largimesh edhe në radhët e saj. “Fatmirësisht kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar, apo një kryesi efektive të vetë partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë, siç i thonë në sportet kolektive, për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të skuadrës”, deklaroi kryeministri Edi Rama.









































