Google search engine
Home Politike Drejtesi Aksionet e SPAK fusin në panik administratën, zyrtarët refuzojnë të jenë pjesë...

Aksionet e SPAK fusin në panik administratën, zyrtarët refuzojnë të jenë pjesë e komisioneve të tenderave, frikë nga hetimet

0
208

Operacionet e SPAK në Bashkinë e Lushnjes dhe Ministrinë e Brendshme pak javë më parë kanë vënë në alarm administratën. Kreu i SPAK, Arben Kraja ka paralajmëruar se do ketë goditje të forta për abuzimet me tenderat dhe kjo ka sjellë bllokimin e shumë procedurave të prokurimit. Disa tendera janë pezulluar dhe disa të tjerë nuk po zhvillohen dot në shumë ministri e drejtori. Sipas burimeve, zyrtarët nuk pranojnë të jenë pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Nëse në një tender zbulohen shkelje, të parët që shkojnë para prokurorisë janë anëtarët e KVO dhe për këtë arsye ata nuk pranojnë që të bëhen pjesë e këtyre komisioneve. Ndërkohë pritet që të kemi zhvillime të forta nga Ministria e Brendshme pasi hetimet vijojnë sa i takon tenderit të uniformave. Ish-drejtoresha e Prokurimeve, Edlira Naqellari, ka pasur në dorë edhe shumë tendera të tjerë, ndërsa mësohet se ka pasur konflikte me dy ish-ministra, fillimisht me Fatmir Xhafajn dhe më pas me Sandër Lleshajn. Xhafaj e anuloi tenderin e uniformave, por Lleshaj e aprovoi dhe pritet të thellohet skandali akoma dhe më tej. Ndërkohë dëshmitë e dhëna nga inxhinierja që refuzoi të firmosë, Aurora Mulla, pritet të sjellin goditje të tjera. Po ashtu në kuadër të kësaj dosje, SPAK ka nisur hetimet dhe për dy tendera të tjerë të dhëna nga Ministria e Brendshme. Strategjia që po ndjek SPAK me skandalet e tenderave është e tillë: Së pari janë përgjimet. Vitin që lamë pas janë përgjuar shumë zyrtarë, një pjesë e të cilëve të akuzuar tashmë. SPAK në kuadër të përgjimeve zbërtheu skemën e abuzimeve me tenderat në Bashkinë e Lushnjes. Ndërkohë një skemë tjetër që po ndiqet është ajo e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Kjo u arrit te tenderi i uniformave të policisë, pasi falë dëshmive të anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave u kompletua dosja.

79 padi në SPAK për tenderat

Afro 79 padi janë regjistruar në Prokurorinë e Posaçme për afera me tenderat që kur ajo nisi punë. Më konkretisht, në vitin 2019 kur dhe SPAK sapo u krijua mori 9 padi për abuzime me tendera, padi të bëra në prokurori të tjera. Ndërkohë sipas raportit vjetor për vitin 2020 rezulton se ka pasur plot 47 procedime penale. Ndërsa gjatë 2021 ka pasur 23 procedime. Pra që kur është krijuar SPAK e deri më sot kemi 79 padi. Sipas burimeve, një pjesë e padive janë të bëra nga partitë politike, por pjesa dërmuese janë bërë nga kompanitë private. Shumë kompani që kanë marrë pjesë në garën e tenderit dhe janë skualifikuar në mënyrë të dyshimtë, përveç rrugës që ndjekin në Gjykatën Administrative, depozitojnë dhe padi penale në SPAK. Rast i tillë ishte ai i Bashkisë së Lushnjes, ku kompania e skualifikuar paditi kryetarin. Mësohet se e njëjta skemë po ndiqet dhe me kompani të tjera. Sidomos tani që SPAK dha sinjale se u shkohet deri në fund padive të tilla, mjaft kompani që mendojnë se u është bërë padrejtësi i drejtohen kësaj strukture.

Ja dosjet e abuzimeve me tenderat që ka në dorë SPAK

1.      Abuzimi me tenderin e një fushe sporti në Prrenjas, paditur ish-kryebashkiakja Miranda Rira

2.      Koncesionet e dhëna në sistemin shëndetësor, paditur shumë zyrtarë

3.      Koncesioni për ndërtimin e Portit të Durrësit

4.      Tenderi për ndërtimin e Portit të Vlorës

5.      Ndërtimi i disa kullave në lulishten e Elbasanit me PPP

6.      Tenderi i abuzimit me ushqimet gjatë pandemisë, 3 zyrtarë te Ministrisë së Mbrojtjes të pandehur

7.      Afera e inceneratorët, disa zyrtarë të paditur në SPAK

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here