Valë ankesash për tenderat/ Ne korrik 76 kompani ankimuan vendimet, institucionet kritere selektive me prokurimet

0
331

Tenderat vijojnë të mbeten gangrena e institucioneve publike. Vetëm gjatë muajit korrik, ka pasur 76 ankesa nga kompanitë, të cilat janë skualifkuar. Të dhënat janë bërë publike nga Komisioni i Prokurimit Publik. Të gjitha këto lidhen me procedura të thjeshta prokurimi dhe jo me ndonjë koncesion apo leje minerare e ankand. Sipas KPP shumica e ankesave janë paraqitur në fazën kur ende tenderi është në zhvillim dhe që lidhet me specifikimet teknike. Të paktën 57 për qind e ankesave lidhen me mënyrën sesi autoritetet kontraktore kanë përcaktuar kushtet në dokumentacion. Kjo pjesë është bërë jo pak herë problem pasi operatorët kanë ankimuar se kushtet hartohen në mënyrë të tillë që të plotësohen nga një operator i paracaktuar ose për të penalizuar dikë nga gara. Po kështu specifikimet teknike në disa raste janë të paargumentuara. Kjo përqindje ankesash që lidhen me specifikimet teknike është dukshëm më e lartë se procedurat që ankimohen kur janë në fazë vlerësimi ofertash. Kjo pjesë përbën 33 për qind të ankimimeve totale dhe lidhet zakonisht me mënyrën sesi autoritetet kontraktore kanë bërë përllogaritjen e pikëve dhe kanë nxjerrë fitues njërën apo tjetrën ofertë. Sipas llojit të kontratës të paktën 8 për qind e ankimimeve kanë të bëjnë më tenderë që lidhen me punë publike. Mbi 60 për qind lidhen me tendera që kanë në bazë të tyre mallra. Kjo lidhet edhe me faktin se përgjatë qershorit dhe korrikut numri i prokurimeve për këtë kategori është më i lartë ndërsa në fillimvit ka një tendence më të lartë drejt investimeve. Pjesa tjetër prej 32 për qind e ankesave për tenderë lidhen me shërbimet.

Kriteret selektive

Sipas të dhënave të raportuara nga komisioni, 2021 ka nisur me një numër të lartë ankesash për tenderat. Konkretisht, vetëm në tre muaj janë bërë 146 ankimime ndaj procedurave dhe kritereve për tenderat. Ajo që bie në sy është se, KPP ka pranuar gati gjysmën e ankesave, duke treguar se subjektet kanë të drejtë që kriteret e tenderave çalojnë dhe janë selektive. “Hartimi i kritereve të tenderit apo kontestimet në vlerësimin e ofertave kanë detyruar 146 subjekte të ankohen pranë Komisionit të Prokurimit Publik, vetëm gjatë tremujorit të parë të 2021. Ndërkohë që referuar vendimmarrjeve për këtë periudhë, rezulton se 71 prej këtyre ankesave janë pranuar. Pra, u është dhënë e drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vendosjes së kritereve për të marrë pjesë apo për t’u kualifikuar në një tender duke rrëzuar institucionet shtetërore, që shpesh herë janë kritikuar për vendosjen e kritereve selektive, me qëllim shpalljen e fituesve të paracaktuar”, raporton KPP.  Komisioni i Prokurimeve Publike konstaton se abuzimet në lidhje me tenderat vazhdojnë edhe pas fazës së plotësimit të kritereve. Në raportin e publikuar KPP sqaron se edhe në ato raste kur një subjekt përmbush kriteret për t’u futur në garë, enti publik nuk i bën vlerësimin e duhur të ofertës, duke ndjekur trendin e marrjes së ofertës më të lartë dhe skualifikuar të tjerët. KPP tregon se vetëm në tre muaj ankesat për mos vlerësimin e ofertës sipas rregullave të përcaktuara nga APP regjistrohen gati në 100 të tilla dhe pas shqyrtimeve një pjesë e konsiderueshme e ankesave është pranuar nga KPP duke iu dhënë plotësisht të drejtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here