Lorik Cana ka një karrierë të shkëlqyer si futbollist, pasi jo vetëm ka luajtur për shumë vite në elitë me skuadra si Paris San Zhermen, Nantes e Marsejë në Francë, Sanderlendi në Angli, Gallatasarai në Turqi apo dhe Lacio në Itali, por njëherësh dhe një kontribut të vyer në ekipin përfaqësues, duke qenë lojtari me më shumë ndeshje me ngjyrat kuqezi të përfaqësueses, me plot 93 ndeshje. Tani ai është një ambasador i sportit, që përçon vlera me angazhimin e tij në shërbim të futbollit sidomos pas nismës së tij me “Cana 5”. Duhet thënë se ditën e djeshme ai ishte përzgjedhur nga UEFA si një prej atyre që tërhoqën goglat në shortin e hedhur në Stamboll për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, një ligë finalja e së cilës do të luhet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, më 25 maj të vitit 2022, pikërisht në stadiumin “Air Albania”.
Shorti në Stamboll
Merr jetë edhe kompeticioni më i ri për klube, Europa Conference League. Në Stamboll u hodh shorti i fazës së grupeve me 32 skuadrat pjesëmarrëse që mësuan rrugëtimin e tyre drejt finales së madhe të “Air Albania”-s që do të zhvillohet në datën 25 maj në Tiranë. Lorik Cana i cili është edhe ambasadori i finales bashkë turkun Nihat Kahveci përzgjodhën goglat me grupin G që mund të konsiderohet edhe si më i forti me klube si Totenhem, Renes, Viteshe e NK Mura. Short jo i lehtë edhe për Romën skuadrën tjetër favorite të këtij kompeticioni.
Karriera
Lorik Cana kishte projektuar aktivizimin në rol drejtuesi në krye të një klubi të njohur europian, bëhet fjalë për një klub zviceran, por projekti i tij nuk dihet pse nuk u zbatua, ose ndoshta ngaqë Cana nuk ra dakord me kushtet e klubit në fjalë (bëhej fjalë për Lozanën, të paktën kështu u shkrua tre vjet më parë). Megjithatë, në një të ardhme nuk përjashtohet mundësia që Cana të rikthehet në ndonjë klub, kuptohet në pozitën e drejtorit ose të teknikut sportiv, por gjasat janë që ai të jetë administrues, sikurse është Igli Tare tek Lacio. Për momentin është hedhur poshtë deri tani mundësia që ai të drejtojë si trajner ndonjë skuadër, qoftë dhe për problemin shëndetësor që ka kaluar, por një rikthim si drejtues në krye të ndonjë klubi cilësor në Zvicër ose në Francë nuk përjashtohet.
Faza e grupeve
GRUPI A: Lask, Makabi Tel Aviv, Alashkert, Helsinki
GRUPI B: Gent, Partizan Beograd, Flora Tallin, Anorthosis
GRUPI C: Roma, Zorya Luhansk, CSKA Sofia, Bodo/Glimt
GRUPI D: AZ Alkmar, CFR Kluzh, Jablonec, Randers
GRUPI E: Slavia Praha, Fejnord, Union Berlin, Makabi Haifa
GRUPI F: Kopenhagen, PAOK, Slovan Bratislava, Linkoln Red Imps
GRUPI G: Totenhem, Renes, Viteshe, NK Mura
GRUPI H: Bazel, Karabag, Kairat Almati, Omonoia