Google search engine
Home Sport Zbardhen detajet, një agjent i infiltruar fundosi efektivin e RENEA-s që drejtonte...

Zbardhen detajet, një agjent i infiltruar fundosi efektivin e RENEA-s që drejtonte trafikun e drogës në Tiranë

0
277

Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore për efektivin e RENEA-s, i cili drejtonte një grup kriminal të trafikut të drogës, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Tiranës, ka rezultuar se ky i pandehur ka shitur porcione kokaine në tre raste, të cilat janë dokumentuar nga ana e oficerëve të SHÇBA-së. Në secilin prej rasteve, droga e fortë iu është shitur një agjenti të infiltruar nga strukturat e hetimit. Ky i fundit i është prezantuar efektivit të RENEA-s, shtetasit R. L., 27 vjeç si një emigrant, i cili e kishte të domosdoshme përdorimin e lëndës narkotike kokainë. Në momentin që sasia e lëndës narkotike merrej nga oficeri i infiltruar, dërgohej për një ekzaminim në laborator, nga rezultati i të cilës dilte një përqindje pastërtie prej 80 për qind. Përveç kokainës, 27-vjeçari shiste dhe sasi të ndryshme hashashi. Ndërkohë, janë zbuluar nga grupi hetimor, rolet që gjithsecili kishte në këtë grup kriminal të trafikimit të drogës. Siç e dimë, efektivi i RENEA-s, ishte kreu dhe ai siguronte klientët. Ndërsa kushëriri i tij, përkatësisht shtetasi me iniciale J. L, 30 vjeç, i cili u kap në banesën, që përdorej si bazë e grupit, kishte rolin e shpërndarësit të porosive të bëra. Ndërkohë, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me trafikun e drogës dhe se nuk kishte dijeni se brenda banesës, i afërmi i tij prodhonte drogë. Ai ka vijuar të rrëfejë se gjendej rastësisht në shtëpi, dëshmi e mbështetur dhe nga i pandehuri R. L., gjatë marrjes në pyetje. Edhe pse, u mundua të tregonte detaje “shpëtimi” nga burgu për të dhe kushëririn e tij, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar në gjykatë masën e sigurisë “Arrest me burg” për të dhe të afërmin e tij.

Detaje të tjera nga dosja

Përveç këtyre dy të pandehurve, është kërkuar e njëjta masë sigurie dhe për shokun e tyre, përkatësisht shtetasi me iniciale G. S. Ky i fundit kishte rolin e shitësit të lëndëve narkotike si kokainë dhe hashash në rrugët e Tiranës. Përsa u përket dy personave të tjerë të shoqëruar nga policia, siç u bë me dije, ata do të procedohen në gjendje të lirë, pasi ende nuk janë gjetur prova, të cilat mund t’i lidhin me aktivitetin kriminalistik. Kujtojmë se SHÇBA dhe Prokuroria e Tiranës, para pesë ditësh zhvilluan një operacion antidrogë, ku u arrestuan tre persona, përkatësisht kreu i bandës një oficer i RENEA-s, shtetasi R. L., 27 vjeç, kushëriri i tij, J. L., 30 vjeç dhe shoku i oficerit të RENEA-s, shtetasi G. S dhe u proceduan penalisht dy të tjerë. Dyshohet gjithashtu se janë të përfshirë efektivë të tjerë. Në bazën e tyre, përkatësisht një banesë në zonën e “Ish-Parkut të Autobuzave”, u gjetën dhe u sekuestruan 434 gr kokainë, 576 gr kanabis, 100.6 gr ekstazi, 18.2 gr fara të bimëve narkotike,7 peshore dhe materiale që shërbenin për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike, 11.890 euro, 3 pistoleta të llojit Bruni dhe Glock, një krehër me 20 fishekë Mod 56, 219 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme, 1 automjet tip Benz, 2 motoçikleta pa targa që përdoreshin për shpërndarjen e drogës, 7 aparate celularë dhe një pajisje e dyshuar si granatë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here