Lushnja u trondit mbrëmjen e djeshme nga ekzekutimi i biznesmenit Bledar Muça.
Autoritetet po punojnë në dy pista kryesor lidhur me shkakun pse mund të ketë ndodhur ekzekutimi.
Pista e parë është ajo e prishjes së mundshme të pazareve të drogës, ndërsa pista e dytë e hetimit është ajo e lidhjeve familjare të viktimës me Roland Shytin, anëtarin e grupit të “Hakmarrjes për Drejtësi”.
Muça ishte i martuar me mbesën e Roland Shytit, personazh i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” i njohur me nofkën “Mustaqekuqi”.
Mësohet se ndaj Muçës është qëlluar 21 herë me breshëri kallashnikovi. Plumbat kanë kapur edhe 5 persona të tjerë. Mes të plagosurve më rëndë është gjendja e kunatit të viktimës, Judin Velo.
Disa minuta pas ngjarjes policia gjeti të djegur një makinë në fshatin Thanasaj, që dyshohet se është e autorëve të vrasjes. Muça nuk njihej si tip problematik në Lushnje.









































