Nisja e legjislaturës së re parlamentare në shtator ka rikthyer debatet dhe diskutimet sa i takon qeverisë së re. Përveç zërave mbi ministrat që ikin dhe ata që afrohen, një debat është nëse presidenti do të dekretojë apo jo qeverinë e re. Duke qenë se Meta u shkarkua nga Parlamenti dhe raportet e Ramës me të janë të dobëta, ka shumë që aludojnë se kreu i shtetit mund të mos dekretojë ministrat e rinj dhe kryeministrin. Mbi këtë çështje gazeta foli me deputetin e PS dhe juristin Spartak Braho, i cili ka analizuar situatën në aspektin politik dhe juridik. Sipas tij, nuk ka asnjë gjasë që Meta të bllokojë qeverinë e re, pasi nuk ka asnjë nen që ia jep këtë të drejtë. Por sipas tij edhe nëse ai e bën këtë Kuvendi do i vërë vulën qeverisë së re.
Braho: Iluzionet e humbura të presidentit
Dihet se në 9 shtator të këtij viti hapet sesioni i parë i Legjislaturës se re pas zgjedhjeve të 25 qershorit të Kuvendit të Shqipërisë. Është kjo një ngjarje e shumë pritur për të cilën hamendësohen shumë gjëra të papritura, trillohen lloj lloj skenarësh ogurzi deri aty sa përveç listës me qeveritarët e rinj të kabinetit “Rama 3” numërohen edhe ditët që ky kabinet nuk do të mbijetojë sepse me gjasë presidenti nuk do ta dekretojë kabinetin e ri!!!! Këto janë të gjitha ëndrra në sirtar të disa pseudoanalistëve injorantë të opozitës si psalme të fshehura të saj, por edhe tentohet të testohet çfarë do bëjë Edi Rama pas kësaj. Kuptohet se këtë lajm e gjen edhe në kuzhinat politiko-juridike të Presidencës, ndonëse vetë presidenti ende nuk është prononcuar për vijën e sjelljes me Qeverinë e re që do t’i shkojë mbi tavolinë në ditët e pas 6 shtatorit.
Argumentet
Për t’i rënë shkurt këtij hamendësimi opozitar, por dhe kureshtjes sqaroj se: Mund të ketë dëshira, ëndrra dhe prirje që presidenti të mos e miratojë qeverinë e re, pra kryeministrin dhe kabinetin e tij, por cili do të ishte argumenti, arsyetimi, i këtij mos miratimi? Ndërkohë duke qenë se s’ka e s’di të ketë argumenta kundërshtuese, ashtu sikundërse nuk ka asnjë bazë ligjore kushtetuese, ky do të jetë një rast i shtuar në shkeljet e rënda të Kushtetutës, tashmë në formën e një “colpo di stato”, është jashtë çdo logjike të ndodhë. Kjo do t’i rëndonte më tej gurët në qafën e holluar nga zullumet Ilir Metës, në sytë e opinionit brenda dhe atij ndërkombëtar që po e vëzhgon me kujdes. E thënë shkurt, presidenti ynë ndonëse e di që është i përkohshëm, do ta firmosë si Çeçua dekretin e miratimit të kabinetit të ri. Kjo edhe për një fakt tjetër ligjor edhe në rast budallallëku të mos firmosjes së dekretit, kjo nuk ka asnjë vlerë e për rrjedhojë asnjë pasojë. Do të jetë vetë Kuvendi që do t’i vërë vulën qeverisë së re. Nga do që ta kapësh, ky moment i rëndësishëm juridiko-politik i vazhdimësisë qeverisëse të mazhorancës nuk pengohet. Çdo hamendësim tjetër janë vetëm iluzione të humbura të kukuvajkave pa tru e aventuriere të opozitës së sotme e zëdhënësve të tyre qe shohin ëndrra me sy hapur. Sovrani ka folur dhe vulosur në 25 prill. Vullneti i tij është i padiskutueshëm e nuk ndryshohet me tërc-vërcet e intrigave të qafëthyerve.









































