Google search engine
Home Aktualitet Parku Bylis, Margariti: I vetmi në Shqipëri me densitetin më të lartë...

Parku Bylis, Margariti: I vetmi në Shqipëri me densitetin më të lartë të bazilikave brenda territorit

0
278

Parku kombëtar arkeologjik i Bylisit është i njohur për vlerat e tij në trashëgiminë tonë kulturore. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se Bylisi është një nga sitet me intensitet të lartë monumentesh. “A e dini se…?! 1-Parku kombëtar arkeologjik i Bylisit është një nga sitet me intensitet të lartë monumentesh brenda mureve fortifikuese të qytetit antik të Bylisit. 2-Parku i vetëm arkeologjik në Shqipëri me mbi 1000 m² mozaik të periudhës së antikitetit të vonë. 3-Parku i vetëm në Shqipëri me densitetin më të lartë të bazilikave brenda territorit të tij”, shprehet në një status të saj ministrja e Kulturës në Facebook, që ka publikuar dhe disa foto nga parku arkeologjik. Qyteti Ilir i Bylisit i vendosur në pllajën e një kodre pran fshatit të sotëm Hekal dikur shtrihej në një sipërfaqe prej 30 ha, e cila mbrohej nga një mur rrethues me gjatësi 2.2 km, gjerësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m, i cili ende sot ruhet relativisht mirë. Muri rrethues ishte pajisur me hyrje dhe kulla të shumta mbrojtëse. Nga shekulli IV para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri një shekull më vonë, u ndërtuan disa prej veprave më madhështore të qytetit, ku përmenden teatri, stadiumi, depozita e ujit, banesa të ndryshe, rrënojat e të cilave mund t’i hasim edhe sot. Bylisi i vjetër ishte i ndarë në tre zona, dhe u ndërtua në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit. Nga ai shkëlqim i së shkuarës, spikasin rrënojat e teatrit 7500 vendësh, të cilat të mundësojnë një udhëtim të bukur në historinë dhe arkitekturën e qytetit. Teatri përbëhej nga 40 shkallare, dhe sot mund të shikohen ende disa ndenjëse prej guri, muret mbajtëse të teatrit apo bazamenti i orkestrës. Teatri është monumenti më i rëndësishëm i Bylisit të periudhës antike. Bashkë me stoan e madhe dhe stadiumin, ai ka përcaktuar kompozimin arkitektonik të agorasë rreth mesit të shek III p.K. Për ndërtimin e teatrit është zgjedhur këndi juglindor i agorasë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here