Merkato e verës për klubet e futbollit shqiptar do të jetë e hapur deri më 31 gusht. Pra deri në fund të këtij muaji klubet kanë mundësinë të plotësojnë boshllëqet e tyre duke tentuar të marrin lojtarët e dëshiruar. Natyrisht që janë bërë shumë lëvizje dhe kjo ndodh ngaqë në kampionatin tonë klubet nuk përdorin kontrata me afat të gjatë kohor. Kontratat e klubeve me lojtarët janë përgjithësisht 1-vjeçare, ose e shumta dyvjeçare. Krejt ndryshe ndodh në futbollin profesionist, ku kontratat janë mbi dyvjeçare në shumicën e herës. Kjo ka të bëjë edhe me aspektin filozofik të kontratës, e cila siguron besim tek palët dhe i nxit lojtarët të jenë të përkushtuar në stërvitje dhe të lënë gjurmë në karrierën e tyre. Natyrisht që kampionati ynë i ka këto probleme, edhe pse shumë hapa përpara janë bërë. Ndërkohë, në këtë periudhë të fundit të merkatos së verës klubet po nxitojnë të bëjnë lëvizjet e shpejta për të kompletuar grupet. Duket e habitshme por këtë edicion largimet dhe afrimet kanë qenë në numër shumë të madh pothuajse tek të gjitha klubet. Rekordin e mban Dinamo, me më shumë se 20 afrime, por nuk mbeten pas edhe klubet pretendente për titull, si Partizani, Tirana, Vllaznia dhe Teuta, që kanë pasur shumë largime e kanë bërë shumë afrime po ashtu.
Vllaznia e Laçi, merkato boshnjako-malazeze
Vllaznia është një skuadër që ka ambicie për titull. Iu afrua ndjeshëm sezonin e kaluar dhe dëshiron me patjetër këtë edicion të ketë sukses. Nuk i mjafton më kupa, pasi do trofeun e titullit pas 21 vjetësh. Për të përmbushur objektivat e saj, Vllaznia ka bërë merkato me emra të huaj, kryesisht, dhe tregu i saj ka qenë kryesisht në vendet e rajonit e më së shumti në kampionatin boshnjak. Trajneri Bërdariç e njeh tashmë grupin, mentalitetin dhe gjendjen infrastrukturore, prandaj është me “oreks” të shtuar. Besohet se prurjet e fundit, përfshi dhe një brazilian, mund t’i japin Vllaznisë avantazhe në sezonin e ri. Ndërkohë, Laçi nuk ka lëvizur shumë, pasi në filozofinë e kësaj skuadre prioritetin e merr grupi, i cili në bërthamën e tij mbetet po ai. Sidoqoftë, Laçi këtë vit ka pasur pikësynime në merkato duke shfrytëzuar tregun malazez, atje ku ka gjetur dhe trajnerin e ri pas largimit të Shpëtim Duros.
Tirana e Teuta u besojnë të rikthyerve
Tirana mbetet një skuadër me ambicie të qarta për trofe dhe pavarësisht si shkon sezoni, ajo gjithmonë llogaritet një pretendente, për shkak të staturës së fuqishme që ka. Tirana ka ruajtur bërthamën kryesore të grupit dhe ka lëvizur në një drejtim më të sigurt në treg, duke dashur të rikthejë në gjirin e saj lojtarë që kanë qenë pjesë e grupit që e nxorën kampion në vitin 2020. Kështu, u kthye Majkëll Ngo, një nga sulmuesit e spikatur të Superiores dy vite më parë, si dhe mbrojtësi Gentian Muça, një lojtar që e njeh mirë ambientin. Por ka dhe lojtarë të tjerë që e njohin grupin dhe ambientin e për pasojë Tirana mund të konsiderohet e gatshme për ta nisur sezonin. Ndërkohë, të rikthyerve u ka besuar edhe Teuta, e cila, me afrimin e Sherif Kallakut, një sulmues që i mungoi në sezonin që lamë pas, mund ta mbajë Teutën në vorbullën e pretendimeve të saj sezonale.









































