Bajerni e ka nisur sezonin me një dominim absolut, duke u konfirmuar që në startin e Bundesligës se është skuadër pretendente kryesore. Sulmuesi Robert Levandovski ndodhet në top-formë dhe i jep peshë skuadrës në vijën ofensive, prandaj dhe Bajerni është efikas në rezultat. Por nuk mjafton Levandovski dhe klubi e drejtuesit e tij e dinë mirë se një skuadër funksionon kur është harmonik grupi i lojtarëve dhe secili ka peshën dhe rëndësinë e tij. Një nga lojtarët që ka një kontribut të çmuar në skuadër gjatë viteve të fundit është mesfushori i krahut (në fakt luan edhe si mbrojtës shpesh herë), Joshua Kimiç, i cili konsiderohet lojtar i padiskutuar i formacionit dhe një nga më të mirët e futbollit botëror në këtë rol. Për këtë arsye Bajerni lëvizi në drejtimin e duhur për t’i zgjatur kontratën dhe e zyrtarizoi menjëherë atë. Kështu, sipas medieve gjermane edhe zyrtarisht tashmë, Joshua Kimiç rinovon edhe për 4 sezone të tjera me Bajernin. Lajmin e ka dhënë vetë klubi gjigant bavarez nëpërmjet një komunikate ku sqaron se futbollisti polivalent 26-vjeçar ka firmosur një kontratë të re që do ta mbajë në “Allianz Arena” deri në verën e 2025-ës. Kontrata e vjetër e futbollistit gjerman skadonte verën e 2023-shit, megjithatë drejtuesit e Bajernit nxituan t’i zgjasin bashkëpunimin lojtarit, duke i përmirësuar edhe pagën vjetore, në mënyrë që të mos rrezikojë ta humbë me çmim të reduktuar apo me parametra zero. Vetë Kimiç deklaroi se është mjaft i lumtur që rinovoi me Bajernin e Mynihut, fanellën e të cilit e vesh tashmë prej 6 sezonesh dhe ka arritur të fitojë gjithçka në nivel klubesh. “Motivi më i rëndësishëm që më shtyu të rinovoj kontratën me Bajernin është se këtu mund të ushtroj më së miri pasionin tim për futbollin. Kam një skuadër me të cilën mund të arrij gjithçka dhe shumë prej shokëve të ekipit, janë shndërruar në miqtë e mi më të mirë tashmë. Për më tepër, edhe familja ime ndihet shumë mirë këtu dhe Mynihu është shndërruar në një shtëpi të dytë për ne”, deklaroi 26-vjeçari. Joshua Kimiç e nisi karrierën si profesionist me fanellën e Leipzig në Ligën e tretë e më pas në Bundesligën 2, ndërsa në verën e 2015-ës iu bashkua Bajernit të Mynihut e që atëherë u shndërrua në titullar të padiskutueshëm jo vetëm te bavarezët, por edhe te përfaqësuesja gjermane. Roli i tij natyral është ai i mbrojtësit të djathtë, por cilësitë teknike e atletike e bëjnë të përshtatet me shumë lehtësi edhe si mesfushor e sulmues krahu.









































