Google search engine
Home Politike Drejtesi Debatet për mandatin e KPK/ Rreth 300 gjyqtarë e prokurorë mund të...

Debatet për mandatin e KPK/ Rreth 300 gjyqtarë e prokurorë mund të kalojnë për veting te KLGJ dhe KLP

0
233

Mazhoranca dhe opozita pritet të përfshihen në një debat sa i takon reformës në drejtësi. Vetingu deri më tani ka goditur qindra të korruptuar duke i nxjerrë nga sistemi, por po tejkalohen afatet. Kur u hartua Kushtetuta në vitin 2016, u vendos që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioneri Publik të kenë një mandat 5-vjeçar. Këto organe u ngritën në qershor të vitit 2017 dhe kjo do të thotë se në qershor të vitit 2022 pushojnë së funksionuari. Një parashikim i tillë është në nenin 179/b të Kushtetutës. Sipas tij, nëse ka emra që nuk janë futur në veting, kjo punë kryhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. “Mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit të tyre, ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit është 9 vjet. Pas shpërbërjes së komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të prokurorëve shqyrtohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas ligjit. Pas shpërbërjes së komisionerëve publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Ankimet ndaj vendimeve të komisionit ende të papërfunduara do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në nen. Mazhoranca ka hedhur idenë e shtyrjes së afateve të KPK dhe Komisionerit derisa të mbarojë vetingu. Brenda saj ka debate për këtë pjesë. Një ndër hartuesit e reformës, Fatmir Xhafaj është skeptik për shtyrjen e mandatit. Ndërkohë që kjo të ndodhë duhet vota e opozitës dhe nuk dihet nëse do kemi konsensus. Megjithatë sipas burimeve, gjasat janë që në 2022 KPK të mbyllë mandatin. Edhe ndërkombëtarë nuk është se janë të kënaqur me punën e këtij komisioni dhe mund të mos kemi shtyrje të afateve.

300 emra drejt KLGJ e KLP

Nëse vendoset që të mos zgjatet mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, atëherë rreth 300 gjyqtarë dhe prokurorë duhet të rivlerësohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta, deri më tani kanë hyrë në veting rreth 420 persona dhe janë rreth 380 të tjerë që presin të futen në veting. Nëse shohim shifrat, mesatarisht KPK ka marrë vendime për rreth 100 persona brenda një viti. Në shtator nis puna dhe nëse ecet me të njëjtin ritëm, deri në qershor mund të mbyllet puna për rreth 80 emra, çka do të thotë se diku më pak apo më shumë se 300 emra duhet të kalojnë për veting te KLGJ dhe te KLP. Në shtator pritet të rihapet ky debat dhe po ashtu do ketë konsultime dhe me ndërkombëtarët dhe grupet e interesit. Sipas burimeve ata që mund të vendosin nëse do kemi zgjatje të mandatit janë vetëm amerikanët. Opozita ka dhënë sinjale se nuk është e kënaqur me organet e vetingut dhe gjasat që të pranojë të zgjasë mandatin janë të pakta. E vetmja mënyrë është nëse ndërhyn SHBA, por sipas burimeve gjasat janë minimale dhe kjo do të thotë se në qershor 2022 KPK mbyll misionin e saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here