Trajneri i Kombëtares Edi Reja, po monitoron formën e lojtarëve të përfaqësueses në prag të dueleve të rëndësishme në grupin “I”, pasi në ditët e para të shtatorit kuqezinjtë do të kenë tri përballje mjaft të rëndësishme për fatet e renditjes. Luhet fillimisht me Poloninë, më 2 shtator në transfertë, më pas me Hungarinë me 5 shtator në Elbasan dhe po në të njëjtin stadium (“Elbasan Arena”), luhet edhe dueli i 8 shtatorit kundër San Marinos. Ambiciet e përfaqësueses në këto tre takime janë rezultati maksimal, por a është në gjendje Shqipëria e trajnerit Reja ta realizojë këtë objekti? Vetë trajneri është shfaqur optimist, duke thënë se do të tentojë më të mirën me grupin. Por disa pikëpyetje mund të hidhen që tani në lidhje me formën e lojtarëve. Abrashi nuk dihet a e ka kaluar dëmtimin e pësuar javën e kaluar, kurse Lenjani me shumë gjasë do të mungojë pasi rikuperimi kërkon kohë. Armando Sadiku nuk ka minutazhin e duhur dhe ky është problem, ndërsa mbetet të shihet forma e Roshit dhe e Balajt (nëse do të ftohen nga Reja). Ndër sulmuesit, Manaj do të ftohet sepse është aktiv, e po ashtu dhe Uzuni që po kalon momente të mira, por e sigurt fare është se Sokol Cikalleshi do të jetë në formacion, pasi lojtari po kalon momente shumë të mira me Koniasporin në ligën kryesore turke, duke qenë goleador por edhe futbollist që bën diferencë në favor të ekipit.
Suksesi i Cikalleshit me Koniasporin
Në kampionatin turk është shtuar vitin e fundit armata e lojtarëve shqiptarë që militojnë në dy kategoritë kryesore të futbollit në këtë vend. Kjo është shenjë e mirë, sepse tregon që futbollistët shqiptarë i kanë kapacitetet për të luajtur në një ligë më cilësore e madje të jenë të suksesshëm. Ndërkohë, sulmuesit e Shqipërisë, Sokol Cikalleshi e Endri Çekiçi ia kanë siguruar fitoren Koniasporit ndaj Bashakshehirit. Në duelin e luajtur të dielën, në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Turqisë, Koniaspori ka fituar me rezultatin 2:1, ndonëse në pjesën e parë ishte në disavantazh. Fillimisht, Çekiçi barazoi rezultatin në minutën e 51-të, përpara se Cikalleshi (87’) ta shënoj golin e fitores pas asistimit të Zymer Bytyçit. Për Cikalleshin, ky është goli i dytë këtë sezon në po aq ndeshje të luajtura në elitën e futbollit turk. Cikalleshi luajti gjatë tërë ndeshjes për Koniasporin, ndërsa Bytyçi e Çekiçi ishin titullarë, por u zëvendësuan në minutën e dytë të kohës shtesë. Për Koniasporin, kjo është fitorja e dytë këtë edicion.
Kombëtarja
Trajneri Reja po studion elementët dhe së shpejti do të shpallë listën e kuqezinjve që do të ftohen për ndeshjet e radhës. Cikalleshi është pikë orientimi në këtë moment në repartin e sulmit, për shkak të formës që po kalon, si dhe eksperiencës që ka në ndeshjet e rëndësishme. Kushdo qofshin dilemat e Rejës në repartin e avancuar, për Cikalleshin kjo s’mbart rëndësi, sepse kavajasi e ka të garantuar formacionin pas shpërthimeve të fundit me gola në kampionatin turk.









































