Google search engine
Home Sport Short befasues në futbollin e femrave Vllaznia përballet me Juventusin

Short befasues në futbollin e femrave Vllaznia përballet me Juventusin

0
302

Pak ditë më parë, në kuadër të turit të parë eliminator të UEFA Champions League në futbollin e femrave, Vllaznia e Shkodrës mposhti 3-1 Ferencvaroshin e Hungarisë dhe siguroi të drejtën e kalimit në turin e dytë eliminator. Një sukses i tillë bëri bujë sepse Ferencvarosh është skuadër mjaft cilësore dhe luan në nivel të lartë. Por vajzat shkodrane ia dolën mbanë dhe tani po shohin përpara për të siguruar më shumë triumfe. Megjithatë, shorti në raundin tjetër iu ka vënë “Zonjën e Vjetër” italiane, Juventusin, e cila qëndron më lart në cilësi dhe performancë, prandaj dhe për skuadrën tonë shkodrane do të jetë e vështirë përballja me ta. Por fakti se në short ra Juventusi i ka motivuar së tepërmi vajzat, të cilat tani do të kenë dy përballje me një klub të nivelit të lartë dhe një skuadër me emër të madh në arenën e futbollit europian e më gjerë. Pra, ky short shihet si mundësi dhe Vllaznia do ta shijojë këtë moment.

Hedhja e goglave dhe shorti me Juventusin

Vllaznia e femrave ia doli të bëjë një performancë të jashtëzakonshme në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, pasi siguroi kualifikimin falë fitores 3-1 me penallti ndaj hungarezëve të Ferencvarosh. Mesditën e sotme është hedhur shorti edhe për trurin e dytë eliminator, që ka vënë përballë vajzave kuqeblu, pikërisht italianet e Juventusit, një skuadër shumë cilësore dhe natyrisht favorit e për të vijuar më tej. Sfidat eliminatore të turit të dytë do të luhen më 31 gusht e 1 shtator dhe ato të kthimit më 8 e 9 shtator, ndërsa shkodranet do të provojnë një tjetër mrekulli, për të siguruar më pas një biletë për në fazën e grupeve.

Mesazhi i kreut të FSHF-së Armand Duka

Suksesi i Vllaznisë në Champions League i ka magjepsur të gjithë sportdashësit jo vetëm në Shkodër. Madje i entuziazmuar ka qenë edhe kreu i federatës, Armand Duka, i cili menjëherë pas takimit i uroi vajzat për suksesin por edhe duke siguruar se mbështetja për futbollin e femrave do të vijojë. “Krenar për ju vajza, krenar për Vllazninë! Një mbrëmje e madhe për futbollin e femrave, me Vllazninë që arriti një kualifikim të merituar për në fazën “play-off” të UEFA Women’s Champions League, pasi mundi kampionen e Hungarisë, Ferencvarosh. Një arritje e jashtëzakonshme e vajzave kuqeblu, si edhe e futbollit të femrave në Shqipëri. Investimi që jemi duke bërë te klubet e vajzave çdo vit, vazhdon të sjellë suksese dhe emocione të mëdha, duke konfirmuar rritjen cilësore. Uroj dhe shpresoj që ky sukses të pasohet nga të tjera arritje dhe Vllaznia tani të arrijë fazën e grupeve. Do të ishte padiskutim një arritje e merituar për ato vajza dhe atë klub që prej vitesh kanë bërë një punë të mrekullueshme. Urimet më të përzemërta për Presidentin Matlija, stafin teknik, lojtaret e mrekullueshme të klubit shkodran. Jeni burim frymëzimi dhe krenaria për ne dhe çdo vajzë që dëshiron të ndjekë rrugën magjike të futbollit”, shkroi Duka në profilin e tij në rrjetin social “facebook”. Ndërkohë, duhet thënë se FSHF, në bashkëpunim me UEFA-n e FIFA-n, ka siguruar fonde të rëndësishme për infrastrukturën futbollistike në vend, por edhe një mbështetje të konsiderueshme për futbollin e femrave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here