Gjatë vitit 2020 ka dhënë plot 4989 informacione për kryeministrin, presidentin dhe institucionet tjera ligjzbatuese. Sipas të dhënave në raportin vjetor, produkti informativ i destinuar për autoritetet e larta shtetërore ka qenë me vlera informuese dhe njohëse mbi situata të caktuara dhe kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare, formave dhe prirjeve të tyre, ose ka paraqitur probleme specifike, i shoqëruar me parashikime dhe rekomandime. Ndërkaq, produkti për agjencitë ligjzbatuese ka qenë konkret, aktual dhe i dobishëm në evidentimin e veprimtarive të paligjshme. “Në përgatitjen e produktit informativ, krahas parametrave të lidhura me cilësinë dhe objektivitetin, SHISH-i i ka kushtuar vëmendje informacionit dinamik dhe në kohë, si dhe dobisë së tij për politikëbërësit, vendimmarrësit e nivelit strategjik dhe për institucionet e tjera shtetërore të sigurisë. SHISH-i ka vazhduar të informojë autoritetet kryesore, si Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ministri të tjera. Bashkëpunimi dhe shkëmbimet e informacioneve me shërbimet e huaja partnere, në nivel strategjik apo operacional, mbi kërcënimet e përbashkëta është rritur dhe thelluar. Bashkëpunimi me institucionet e zbatimit të ligjit, si Policia e Shtetit, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), DPPPP, etj., është shtuar”, thuhet në raport. Sipas SHISH, për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit, konkretisht Presidentin e Republikës me 349 informacione, Kryeministrin e Shqipërisë me 435 informacione, Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme me 230 informacione, Ministrinë e Brendshme me 144 informacione, Ministrinë e Drejtësisë me 21 informacione, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me 15 informacione, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit me 15 informacione, Ministrinë e Mbrojtjes me 10 informacione dhe 27 informacione për ministritë e tjera sipas specifikës. “SHISH-i ka vijuar bashkëpunimin me institucionet në fushën e hetimit dhe zbatimit të ligjit, konkretisht me Prokurorinë, sidomos SPAK-un, Policinë e Shtetit, veçanërisht në kuadër të OFL, me DPPPP dhe me institucione të tjera”, thuhet në raport.










































