Prokuroria e Posaçme ka në dorë një numër të madh dosjesh, jo vetëm për korrupsionin, por dhe për krimin e organizuar. Të gjithë i kanë sytë te “specialët” me qëllim arrestimin e zyrtarëve të lartë, por në duart e tyre dominojnë dosjet për krimin e organizuar. Në kuadër të raportit vjetor të SPAK, gazeta ka nxjerrë një listë me disa prej dosjeve më të rëndësishme që ka në dorë SPAK, mbi bazë të veprave penale. Ajo që bie në sy është se ka çështje që nga falsifikimi i parave dhe falsifikimi i dokumenteve, deri te korrupsioni, abuzimet me tenderat, trafiku i armëve dhe shkeljet gjatë zgjedhjeve. Sipas të dhënave, janë 50 procedime penale për shpërdorim detyre, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal. Po ashtu në SPAK janë 5 procedime për fshehje apo mosdeklarim pasurie nga zyrtarë të lartë. Mes emrave në fjalë ka dhe deputetë. Sa u takon tenderave, janë 50 dosje që po hetohen nga SPAK. 2 duket se u zbardhën, por janë dhe shumë të tjera në proces dhe shumë ministri e zyra bashkie do të kalojnë në skaner. SPAK ka në dorë 30 procedime penale për korrupsion të personave që kanë funksione publike. Ndërkohë kemi 5 procedime për korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe njerëzve të tjerë të drejtësisë. Ndërkohë 57 procedime janë për korrupsion pasiv të njerëzve të drejtësisë. Ndërkohë janë 12 procedime për mitmarrje. Pra janë rreth 200 procedime në duart e prokurorëve të posaçëm me qindra emra të kallëzuar dhe që po hetohen.
Dosjet kriminale
Sipas të dhënave, 5 perona janë të pandehur për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”. Po 5 të tjerë akuzohen për “Falsifikim i monedhave”. Kemi 4 të pandehur për ngritje të organizatave terroriste në vendin tonë. 11 persona janë të akuzuar për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit. 21 të tjerë janë të akuzuar për votim më shumë se një herë në zgjedhje. Vetëm në kuadër të krimit të organizuar, janë regjistruar 258 procedime penale vetëm gjatë vitit 2020.
Qëndrimet e SPAK
Pak ditë më parë ishte kreu i SPAK, Arben Kraja, ai i cli foli mbi volumin e dosjeve që ka në dorë SPAK. Kraja u ndal te abuzimet me tenderat, duke thënë se ka një bum kallëzimesh. “Këtë gjashtëmujor janë 23 raste, procedime penale që kemi regjistruar për shkelje të barazisë në tendera. Në bazë të kallëzimeve të shtetasve të ndryshëm, në bazë të kallëzimeve të subjekteve të ndryshme apo në bazë të referimit të policisë gjyqësore. Janë tre procedime penale në hetim për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit. Vazhdojnë hetimet, po kryen të gjitha veprimet e nevojshme për të arritur deri në fund. Për të sqaruar çfarë ka ndodhur dhe kush janë ata që kanë përgjegjësi…Do të ketë rezultate në kohën e duhur”, tha ai.









































