Google search engine
Home Aktualitet Ekspozita “Copëza jete” hapet në ditët e fundit të gushtit, 80 punime...

Ekspozita “Copëza jete” hapet në ditët e fundit të gushtit, 80 punime në pikturë të bëra gjatë 2021

0
453

“Copëza jete” vjen në ditët e fundit të gushtit me punime në pikturë në gjininë e portretit, natyrë e qetë, peizazh dhe kompozime. Piktorja Shpresa Milaqi Bajko do të çeli ekspozitën e saj personale në galerinë e artit “Nikolet Vasia”. Ekspozita në Durrës hapet më datë 30 gusht dhe përmban 80 punime në gjini të ndryshme. Me një aktivitet të vlerësuar për punët e saj në pikturë dhe pjesëmarrëse në ekspozita të ndryshme, si piktore ajo vjen këto ditë me “Copëza jete”. Piktorja Shpresa Milaqi Bajko tregon se punimet e saj janë bërë gjatë këtij viti. “Në “Copëza jete” janë mbledhur disa punë, është bërë pak a shumë si një puzzle i jetës, copa të ndryshme nga jeta mbledhur në një ekspozitë. Janë punime të reja, që i kam bërë gjatë një viti. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, sepse e përjetuam jo mirë. Punimet janë në teknikën e lapsit, pastel, akuarel dhe vaj. Janë rreth 80 punime të ndërthurura njëra me tjetrën dhe janë në gjininë e portretit, natyrë e qetë, peisazh dhe kompozim”, tregon piktorja. “Copëza jete” do të jetë në galerinë e artit të Durrësi dhe do të qëndrojë rreth 2 javë. Piktorja Shpresa Milaqi Bajko tregon se hapja e saj këto ditë vere ishte në plane, që para disa kohësh. “U vendos data për ekspozitën time disa kohë më parë. Ishte një moment që pata një ikje të një njeriu shumë të afërt timin dhe mendova që pas asaj mbase gjej dhe qetësinë dhe relaksin në pikturë, sepse është e vetmja gjë që ti fal të dyja dhe për ne është gjëja më e bukur”, shprehet ajo.

Aktiviteti me krijimtarinë

Piktorja Shpresa Milaqi Bajko ka spikatur për punën e saj, ku nuk ka munguar më parë vlerësimi. Studiues arti si Agim Janina apo dhe të tjerë autorë e kanë vlerësuar punën e artistes. Shpresa Milaqi Bajko shprehet se për çdo njeri është sadisfaksion të marrë vlerësime, sidomos nga njohës të artit. “Një vlerësim i tillë për mua është shumë, paçka se ishte ekspozitë që u përballa dhe me të tjerë të fushës së pikturës dhe me profesorët e mi. Një nga ata është dhe dr. Abaz Hado, që ka qenë dhe profesori im në lice. Një vlerësim maksimal për mua sidomos në fushën e akuarelit”, pohon ajo. Nga viti 2013, piktorja Shpresa Milaqi thotë se nuk ka ndaluar me pikturën. Ajo tregon se ka mbaruar Liceun Artistik në Durrës dhe pas mbarimit të shkollës kishte ngelur si ëndërr në sirtar piktura. “U desh një ditë e bukur që unë të rinis në 2013 dhe mos të ndaloj më. Piktura është e vetmja gjë që më kënaq, mbush dhe frymëzon”, tregon artistja. “Copëza jete” është ekspozita e tetë personale e piktores, që vjen këto ditë për publikun. Në aktivitetin e saj ajo ka hapur ekspozita personale në Durrës dhe Tiranë, në Berat me një tjetër bashkautor. Po ashtu ka pjesëmarrje në ekspozita të ndryshme kolektive apo dhe në Bienalen Ndërkombëtare të Akuarelit. “Melodia e jetës” ka qenë ekspozita më e fundit e piktores Shpresa Milaqi Bajko në gusht të 2020. Në Tiranë piktorja në tetor 2020 hapi në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “Rrugëtim”. Në muajin shtator në vijim të aktivitetit të saj do të jetë në ekspozitë kolektive “Pranver Art”, në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here