Të implikuar në kultivimin dhe favorizimin e kanabisit/ SHÇBA: Në 2020 u arrestuan 30 punonjës policie dhe 24 në nivel drejtues

0
244

Pavarësisht paralajmërimeve dhe ligjeve të forta që ka Kodi Penal në Shqipëri, disa efektivë policie vijojnë ende të bashkëpunojnë me grupet kriminale sa i takon kultivimit dhe favorizimit të kanabisit. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2020, ndërsa ajo që bie në sy, sipas SHÇBA, është përfshirja e punonjësve të policisë në favorizim të kultivimit të kanabis sativa, një problem i vazhdueshëm brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Sipas raportit të siguruar nga gazeta, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arritur të çojë në vitin 2020 përpara drejtësisë si të prangosur, 50% më shumë efektivë sesa në vitin 2019. 30 punonjës policie u arrestuan në 2020 të përfshirë në fushën e drogës mes të cilëve 24 janë të nivelit të parë drejtues. Sipas SHÇBA, ndaj tyre u gjetën prova për favorizim të kultivimit të hashashit në të gjithë vendin. Të dhënat raportojnë për një nivel shumë të ulët të ankesave nga qytetarët për raportimin e rasteve të përfshirjes së punonjësve të policisë në favorizim të kultivimit të kanabis sativa. Përgjatë vitit 2020 ka pasur vetëm një telefonatë në drejtim të SHÇBA-së për denoncim të tillë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ankesat për mosveprim të policisë. Në 2020-n janë bërë 388 ankesa të tilla e që ndiqen nga shkelja e procedurave të punës gjobat e padrejta veprimet arbitrare dhe shkelja e Kodit të Etikës. Po ashtu, në raport bëhen të ditura edhe masat e marra për parandalimin e veprimtarisë së kultivimit të bimëve narkotike nga ana e Policisë së Shtetit. “Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore, Shërbimi zhvilloi një inspektim të planifikuar në të gjithë Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Komisariatet në varësi. Në strukturat e Sigurisë Publike janë kryer 21 inspektime, dhënë 7 rekomandime, si dhe 22 rekomandime për fillim të hetimit disiplinor”, thuhet në raportin e SHÇBA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here