Me një mbrëmje me artisten Vikena Kamenica përfundoi “Porto Palermo Festival”. Violinisti i njohur Olen Cesari organizoi festivalin, që bëri bashkë artistë të ndryshëm. Ambasada italiane në vendin tonë ishte mbështetëse e këtij festivali dhe shprehet se kalaja në Porto Palermo ka pritur artistë të mrekullueshëm. “U mbyll të shtunën e kaluar, me një mbrëmje të mrekullueshme në shoqërinë e Vikena Kamenica, edicioni i parë i festivalit Porto Palermo. Nisur nga ideja e mjeshtrit Olen Cesari, kalaja e mrekullueshme e Porto Palermos ka pritur, gjatë 4 fundjavave të fundit, artistë të jashtëzakonshëm italianë e shqiptarë. Ambasada e Italisë është krenare që ka mbështetur këtë projekt”, thuhet në faqen e ambasadës. Iniciativës së violinistit të njohur Olen Cesari iu bashkuan artistët si Inva Mula, Gëzim Myshketa, Kastriot Tusha, Vikena Kamenica, apo këngëtaret e muzikës xhaz Elina Duni dhe Marsela Cibukaj. Artisti Olen Cesari më herët shprehej ndër të tjera se komuniteti duhet të reagojë për perlën natyrore në Porto Palermo. “Për shumë motive ajo zonë nuk është zhvilluar, por në momentin që ai vend ka një ndërhyrje të vogël, ajo bëhet si pika turistike më e rëndësishme”, tha ai. Kalaja e Porto Palermos është një monument i trashëgimisë kulturore e ndërtuar në një gadishull midis Himarës dhe Qeparoit. Kalaja ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshet. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor. Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë. Kalaja e Porto Palermos ndodhet në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon në Shqipërinë e jugut. Kalaja ndodhet mbi një ishull rreth 30 metra larg bregut, ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të.









































