Google search engine
Home Sport Entuziazëm i parakohshëm, Rei Manaj nuk është në planet e trajnerit Kuman...

Entuziazëm i parakohshëm, Rei Manaj nuk është në planet e trajnerit Kuman tek Barcelona

0
269

Në prag të ndeshjeve të Kombëtares që do të luhen më 2, 5 dhe 8 shtator, respektivisht ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos, trajneri i Kombëtares Edi Reja po monitoron situatën me lojtarët, duke mbledhur të dhëna rreth formës së tyre sportive dhe duke u përpjekur që të jenë në grumbullimin e javës së ardhshme pikërisht lojtarët që kanë më shumë minuta në këmbët e tyre dhe që po kalojnë një formë të mirë që mund t’i shërbejë skuadrës kombëtare. Ndërkohë, lëvizjet në klubet e ndryshme vijojnë, paçka se shumica e lojtarëve kuqezi e ka gjetur tashmë veten për edicionin e ri. I vetmi lojtar që nuk ka gjetur ende ekip e të stabilizohet duket Rei Manaj, pasi sulmuesi, edhe pse u paraqit me pompozitet në fazën përgatitore të Barcelonës dhe madje iu bashkëngjit ekipit të parë katalanas, duket se nuk është në planet e trajnerit Ronald Kuman. Ky i fundit po kërkon një “9”-sh, që do të thotë dëshiron lojtar tjetër nga Manaj. Ky perceptim i tij nënkupton që Manaj duhej të gjejë skuadër të re, madje sa më shpejt, përndryshe digjet në stol tek Barcelona.

Situata me sulmuesin kuqezi në “Kamp Nou”

Tashmë është e qartë se entuziazmi i fillimit tek Manaj ka qenë i parakohshëm, sepse trajneri holandez ka pasur plane të tjera në mendje pas largimit të Leo Mesit. Ronald Kuman nuk do të jetë i qetë derisa drejtuesit e Barcelonës të blejnë një sulmues “pykë” para 31 gushtit, datë kur mbyllet zyrtarisht merkatoja e verës. Sikurse njoftojnë mediet pranë klubit katalanas, holandezi i ka kërkuar sekretariatit teknik një përforcim cilësor pas largimit të Lionel Mesit drejt PSG-së dhe dëmtimit të Serxhio Aguerros për 10 javë. Kumen e pranoi në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë të kampionatit me Real Sociedadit se në fazën sulmuese mungojnë shumë emra si Ansu Fati, Dembele, Aguerro, Kutinjo e kjo është një arsye e fortë pse është diskutuar blerja e një sulmuesi të ri. Edhe pse situata financiare është dramatike, me presidentin Laporta që pranoi se borxhi i klubit kap shifrën 1.350 miliardë eurove, sekretariati teknik i Barçës vazhdon të punojë për të përmbushur dëshirat e trajnerit. Në këtë rast drejtuesit “blaugrana” duhet të përdorin imagjinatën për formulën e “blerjes” për t’i shpëtuar “Fair Play-n Financiar”, që e detyroi Barçën të ndahej nga Leo Mesi, njeriu ikonë i 15 viteve të fundit. Barça është gjithashtu e detyruar të çlirohet nga disa lojtarë. Prioritetet është largimi i Pjaniçit dhe francezit Umtiti, dy futbollistë që nuk përshtaten në planet e Kumanit dhe që gjithashtu kanë një pagë shumë të lartë. Trajneri holandez duhet të vendosë gjithashtu se çfarë do të bëjë me dy qendërsulmuesit e tjerë, Martin Brejthuejt dhe Rei Manajn. Apriori, sulmuesi danez kishte më shumë mundësi për t’u larguar, falë formës që tregoi në Europian, por sot Manaj është i pari në listë për t’i gjetur një destinacion të ri. Përfaqësuesit e futbollistit të Kombëtares Shqiptare po studiojnë disa opsione, por do të jetë e nevojshme që të bien dakord me klubin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here