Google search engine

    “Dropull International Short Film Festival”/ Një garë me filma dhe udhëtim në botën e kinemasë

    0
    419

    “Dropull International Short Film Festival” do të zhvillohet në ditët e fundit të gushtit. Një aktivitet, i cili do të sjellë filma të ndryshëm, një udhëtim në botën e kinemasë. Ky festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër me drejtor Kosta Zhongën, ka si vizion që të bëjë Dropullin si një pikë takimi për të gjithë kineastët vendas dhe të huaj, që paraqesin krijimet e tyre kinematografike. Në Dropull, Gjirokastër, edicioni i parë do të zgjasë 3 ditë dhe do të zhvillohet në datat 24, 25 dhe 26 gusht. Në materialin rreth këtij festivali, thuhet se janë ftuar kineastë ndërkombëtarë, të cilët duan të tregojnë punën e tyre. “Në varësi të situatës Covid-19, filmat do të transmetohen me publik të reduktuar me të gjitha masat mbrojtëse. Ne jemi vetë krijues dhe duam të japim përvojën tonë, unike dhe të respektueshme. Bashkohuni me ne, në udhëtimin e botës së filmit”, thuhet në materialin për “Dropull International Short Film Festival”, që shënon këtë vit edicionin e parë. Në festival siç është shprehur më parë drejtori artistik Kosta Zhonga janë në konkurrim 20 filma, që do të jenë në tre ditë në Dropull për të pranishmit. Festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër organizohet nën përkrahjen e Bashkisë Dropull, bizneseve vendase dhe më gjerë.

    Rreth festivalit

    Në materialin nga organizatorët për edicionin e parë të “DIFF” që nis më datë 24 gusht, thuhet se festivali synon që Dropulli të bëhet një pikë referimi jo vetëm i krijuesve të filmave, por edhe i shkrimtarëve dhe artistëve, duke hapur ekspozitë pikture, ekspozitë skulpture, ekspozitë fotografie, por edhe duke promovuar libra nga autorë dhe botues të rinj. “Sigurisht nuk do të lihen pas edhe fëmijët, për të cilët do të paraqitet një workshop tre ditor se si realizohet një film i animuar. Një vend të veçantë do të ketë edhe për promovimin e biznesit, artit, kulturës e traditës vendase. Dobia e festivalit nuk është e kufizuar vetëm tek vizitorët, por edhe në bashkëpunimin e ngushtë kulturor midis Shqipërisë e Greqisë, kryesisht duke promovuar vlerat, kulturën dhe traditën e Dropullit, qytetit të Gjirokastrës, bregdetit të Sarandës, qytetit të lashtë të Butrintit e Finiqit, etj”, shkruhet për “Dropull International Short Film Festival”. Në festivalin e parë ndërkombëtar vijon materiali, Dropulli futet fuqishëm në hartën ndërkombëtare të industrisë audiovizive, si edhe do jetë destinacioni i ri global për profesionistët dhe talentet e reja. Festivali zhvillohet si një iniciativë nga Kosta Zhonga, që është gjithashtu një artist i njohur në aktivitetin e tij artistik. Kosta Zhonga është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dega-Pikturë (Grafikë). 1987-1990 ka bashkëpunuar si piktor ilustrues në gazetat dhe revistat përkatësisht : “Drita”, “Nëntori”, “Zëri i Popullit”, “Ylli”, “Hosteni” shtëpinë botuese “Naim Frasheri”etj. Pjesëmarrës me revistën “Hosteni” në ekspozitat ndërkombëtare në Kanada, Bullgari, Turqi, Greqi, etj, për të vijuar ndër vite me një aktivitet të larmishëm.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here