Zbardhet vendimi, Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzon vendimin e KPK për Artan Madanin: I pabazuar në prova

0
249

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rrëzuar një tjetër vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të një prokurori. Konkretisht, më 12 maj KPA ndryshoi vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Artan Madani dhe e shkarkoi këtë të fundit nga detyra për mungesë të burimeve financiare për krijimin e pasurive dhe për deklarim të pasaktë. Në vendimin e zbardhur nga “Reporter.al” thuhet se, KPA ka rrëzuar vendimin e KPK, duke thënë se nuk ka mbledhur prova dhe materiale të mjaftueshme si dhe ka anashkaluar ligjin. Ishte Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, ai i cili e ankimoi si të pabazuar vendimin e KPK për Madanin dhe pretendoi se ai nuk kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti dhe një garazhi në Durrës në çmimin 5.5 milionë lekë në vitin 2001. Gjithashtu, konstatoi deklarim të pasaktë dhe fshehjen e ushtrimit të të drejtave mbi një makinë të përdorur prej subjektit dhe familjarëve të tij, por të padeklaruar. Ai ka ankimuar në KPA këtë vendim duke thënë se KPK nuk ka zbatuar ligjin, por ka vepruar në favor të Madanit, duke i dhënë atij mundësinë të shmangë problemet mbi pasurinë. Pas ankimimit, në analizën e bërë edhe Kolegji ka konstatuar mospërputhje në deklarimet e subjektit me provat e administruara gjatë procesit të rivlerësimit lidhur me vlerën e deklaruar për apartamentin dhe garazhin, si dhe për burimet e krijimit. KPA e ka gjetur të pabazuar pretendimin e Madanit se diferenca ka ardhur si rezultat i punimeve të bëra për përfundimin e banesës në periudhën 2001-2003, pasi apartamentin e kishte marrë në disponim në fazë karabinaje. Sipas Kolegjit, nga dokumentacioni i ZVRPP-së Durrës është konstatuar se punimet e objektit kanë përfunduar në shtator të vitit 2000 dhe se ky fakt është përforcuar edhe nga provat e dorëzuara nga vetë subjekti i rivlerësimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here