Midis Shqipërisë dhe Kosovës ka një rivalitet prej disa vitesh për lojtarët më të mirë shqiptarë në Europë. Edhe pse shumica e futbollistëve vijnë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në Ballkan, sërish FSHF ka mundur të jetë më efikase sesa homologia e saj kosovare, duke i “rrëmbyer” futbollistët më cilësorë. Por projektet më të qëndrueshme të FFK-së, kanë sjellë që disa lojtarë me peshë ta pranojnë me kënaqësi fanellën e Kosovës e për pasojë janë prezantuar mirë në disa aktivitete ndërkombëtare, kryesisht eliminatore europiani e botërori e sidomos në Ligën e Kombeve. Ky rivalitet midis dy federatave për lojtarët më të mirë në qarkullim, duket se është rikthyer në qendër të vëmendjes edhe për një lojtar që ka dalë nga skuadrat e moshave të Shqipërisë. Bëhet fjalë për Emir Sahitin, i cili ka luajtur me U-17 dhe U-19 të Shqipërisë dhe është pjesë e U-21 të skuadrës kombëtare të trajnerit Alban Bushi, por djaloshi po kërkon ftesë urgjent nga trajneri Edi Reja në kombëtaren e madhe, nisur nga performanca cilësore që ai po bën në kampionatin kroat si dhe forma shumë e mirë sportive. Madje, në përgjigjen e tij dhënë për mediat sportive në Kosovë, Sahiti ka lënë të hapur mundësinë të veshë fanellën e Kosovës nëse federata kosovare tregohet më e shpejtë me ftesën. Natyrisht, kemi të bëjmë me një presion të lojtarit ndaj trajnerit Edi Reja, sepse Sahiti po kërkon një ftesë për ndeshjet e shtatorit. Kuptohet, presione të tilla Reja nuk i pëlqen, megjithëse pranohet nga burimet pranë federatës se ai e ka ndjekur lojtarin, ka mbledhur të dhëna për të dhe nuk e ka bërë vetëm për atë por për disa lojtarë cilësorë që mund t’i shërbejnë objektivit të tij në vazhdim.
Performanca e shkëlqyer tek Hajduku dhe qëndrimi rreth Kombëtares
Siç thamë, lojtari është në formë dhe kërkon vëmendje. Janë pikërisht mediumet kosovare që shkruajnë se sulmuesi i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti, ende nuk ka vendosur se cilin shtet ta përfaqësojë në arenën ndërkombëtare, Kosovën apo Shqipërinë. Në një intervistë për mediumet kroate, Sahiti ka pranuar se është në pritje të një ftese, qoftë nga Kosova apo Shqipëria. Mirëpo, ka insistuar se ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Ai deri më tani, ka luajtur për gjeneratat e reja të Shqipërisë. Me U19 ka një paraqitje, ndërsa me U21 ka shënuar dy gola në dhjetë ndeshje. “Nuk e di ende. Nuk më kanë kontaktuar as nga Shqipëria, e as nga Kosova. Jam duke pritur se si do të shkojnë gjërat. Normalisht, nëse me vjen ftesa, po mendoj kush thërret i pari, më duhet të vendosi”, ka thënë Sahiti. “Me të vërtetë nuk e di akoma. Duhet të flas me menaxherin, se çka është më mirë për mua, dhe të shoh se ku më rreh zemra. Unë e dua Shqipërinë dhe Kosovën normalisht, ne jemi vëllezër. Kur Kosova nuk ishte një shtet i pavarur, ne të gjithë brohorisnim për Shqipërinë, ëndërronim të luanim për Shqipërinë. Tani që Kosova është këtu, ne ndiejmë të njëjtën gjë. Ne të gjithë jemi nga i njëjti gjak, shqiptarë”. Sahiti 22-vjeçar këtë edicion ka shënuar dy gola dhe ka bërë po aq asistime në shtatë paraqitje për Hajdukun në të gjitha garat. Ai ka kontratë me Hajdukun deri në vitin 2025 kurse sezonin e shkuar ishte i huazuar te Shibeniku.









































