Numri i prokurorëve që i tremben vetingut dhe japin dorëheqjen gjatë procesit sa po vjen edhe shtohet. I fundit që u është shmangur hetimeve të KPK ka qenë prokurori Granit Shahu, i cili ka braktisur punën e tij 6 muaj pasi kishin nisur hetim për të. Procesi i vetingut për Shahun nisi nga trupi gjykues i përbërë nga Alma Faskaj, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo në dhjetor 2020. Por në qershor 2021, trupa u njoh me faktin se Shahu kishte dhënë dorëheqjen në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe se nuk kishte ushtruar ankim. Në mesin e korrikut, trupa e KPK-së e ftoi Shahun në seancë, por ky i fundi nuk pranoi të merrte pjesë. Kështu, pas shytimit të dokumentit në gusht KPK pranoi përmes një vendimi dorëheqjen e tij. Vendimi përcakton se, ai humbet të drejtën për t’u emëruar gjyqtar apo prokuror i çdo niveli për një periudhë 15-vjeçare, sipas parashikimeve të pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës. “Në këto kushte, trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta dhe ligji, për dorëheqje nga statusi i magjistratit”, thuhet në vendimin e KPK-së. Gjatë hetimeve paraprake Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte evidentuar një sërë problemesh në pasurinë e Shahut, ndërsa së seancën e fundit nuk kanë munguar as problematikat në lidhje me ushtrimin e profesionit. Në këto kohë KPK ishte në pritje që Shahu të dorëzonte provat e tij për të justifikuar gjetjet e komisionit, por ai preferoi të pezullon te procesin dhe të dorëhiqet. Bëjmë me dije se, Granit Shahu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe e ka ushtruar funksionin si prokuror kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër në rolin e drejtuesit. Në vitin 2017, Shahu kandidoi për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, i cili u fitua në atë kohë nga Arta Marku.