Grupi kriminal “Principi” dhe drejtuesi i këtij grupi Veljko Belivuk janë më të lakuarit në mediat serbe, boshnjake dhe jo vetëm, së fundi. Lidhja e tyre me qeverinë dhe liderët politikë në vend kanë bërë të plasë një skandal kombëtar në Serbi, aq më tepër që zgjedhjet brenda partisë së presidentit aktual Aleksandar Vuçiç janë shumë pranë. Në media, përplasjet mafioze kanë një lidhje të pakundërshtueshme me krerët e qeverisjes, lidhje të cilat shkojnë deri tek kreu i shtetit serb. Kundër këtij grupi janë ngritur akuza, ku grupi fajësohet për pesë vrasje, për rrëmbime, tortura dhe përdhunimin e një personi, e grupi akuzohet edhe për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.
Qëndrimi i SNS-së
Ndërkohë, partia e Vuçiç po përpiqet që ta portretizojë të gjithën si një ngjarje të porositur dhe nxitur nga jashtë në përpjekje për të ulur figurën e liderit të tyre “të pastër” Vuçiç. Anëtari i Kryesisë së Partisë Progresive Serbe (SNS), Zoran Gjorgjeviç, foli mbi atë që e konsideroi si një mbulim të rremë disa javor të ngjarjes. “Kundër Presidentit Aleksandar Vuçiç. Në krye të rrugës, kuptohet, janë ato media të financuara nga Dragan Dilas, pronar i dhjetëra llogarive sekrete në të gjithë botën, mbi të cilat ai fsheh para të vjedhura nga qytetarët serbë kur ishte në pushtet”, tha Gjorgjeviç në një deklaratë. “Të gjithë urrejtësit e tjerë të Aleksandër Vuçiçit dhe urrejtësit e të gjitha të mirave që ai bëri, dhe që ai bën çdo ditë, për Serbinë, i bashkohen kësaj lufte të organizuar, të koordinuar dhe, në shumë mënyra padyshim të urdhëruar nga jashtë, të përditshme të mediave. Verbëria e tyre dhe urrejtja e pakufishme, të inkurajuar më tej nga zhgënjimi dhe paaftësia e tyre, i bëjënë ata të jenë të drejtuar vetëm drejt një qëllimi: Për të përmbysur Vuçiçin me çdo kusht. “As ideologjia, as programi apo ndonjë synim i matshëm me vlerë që synon përmirësimin e Serbisë qytetarët, përveç një dëshire të pangopur për pushtet dhe pasurim personal”, shtoi ai.
Qëndrime
Ndërkohë që partia e Vuçiç është duke u përpjekur që ta paraqesë të gjithën si një mashtrim dhe sulm të mirëmenduar ndaj presidentit, Vulin dhe anëtarëve të familjes së kryeministres Brnabiç, njohësit e politikës së rbe mendojnë se e gjitha është vetëm një manovër për të ndikuar në zgjedhjet e brendshme të Partisë Progresive Serbe të caktuara në shtator. Në një intervistë për Danas, Stevan Vlaji? është pyetur se deri në çfarë masë parashikon që çështja “Belivuk” të ndikojë në rizgjedhjen ose jo të Aleksandar Vuçiç në krye të kësaj partie. “E gjithë ngjarja do të prekë një numër të caktuar votuesish të SNS, por gjithsesi nuk do të ndikojë tek votuesit e vjetër. Kjo pasi skenari në të cilin presidenti i tyre, aq i dashur, punëtor dhe i sakrifikuar për të mirën e përbashkët, merr pjesë në krijimin dhe i jep liri absolute një grupi kriminal të paskrupullt, ende duket i pamundur për ta”, u shpreh ai. Ai gjithashtu ka hedhur artikuluar një ide sipas së cilës e gjithë nxjerrja e detajeve të frikshme në lidhje me grupin kriminal dhe krimet e tyre, përpara se të dilte në media lidhje e këtij grupi me presidentin Vuçiç, ishte e qëllimshme. “Autoritetet e dinin që Belivuk dinte shumë dhe do të fliste, sepse dikush që pret një dënim me burgim të përjetshëm nuk ka asnjë arsye për të heshtur, sepse heshtja do të rrezikonte më tej sigurinë e tij. Prandaj, u organizua një fushatë shumë mujore duke ngacmuar pa nevojë publikun, në të cilën ne u informuam për çdo detaj të mizorive që ky grup kreu. Me kakofoninë në tabloidet e regjimit dhe në televizionet me frekuencë kombëtare, ata krijuan përshtypjen se Vuçiç i nderuar, i cili po lufton kundër mafies pa kompromis, dhe Belivuk famëkeq janë të pamundur si një kombinim, në çdo formë. Edhe nëse ndodh diçka, që në fakt ndodhi me daljen në shesh të informacioneve, do të krijohej ideja se kjo ishte një inskenim nga njerëzit e këqij kundër Vuçiçit”, ka analizuar ai. Më tej analisti ka sqaruar se nuk është nevoja që publikut dhe votuesve tu bëhet e ditur se koalicioni qeverisës është i zhytur thellë në krimin e organizuar, sepse serbët e pakënaqur e dinë tashmë një gjë të tillë shumë mirë.