Trajneri Edi Reja do të grumbullojë skuadrën kombëtare në ditët e fundit të muajit gusht dhe do të vijojnë të jenë të grumbulluar deri në mesin e muajit shtator, pasi do të luhen tri ndeshje, dy prej të cilave vendimtare në kualifikueset në grup për eliminatoret e Botërorit të Katarit 2022. Reja shpreson që të rinjtë që ka ndjekur gjatë këtyre muajve të bëjnë më shumë në formacionin kuqezi dhe të marrin përgjegjësi, por është e sigurt që përballë Polonisë dhe Hungarisë, që janë edhe vendimtare për fatet e renditjes dhe të kualifikimit, ai pritet të angazhojë veteranët që janë më në formë, me idenë se ata mund të mbajnë ritmin e duhur dhe falë eksperiencës që kanë mund të ndikojnë pozitivisht në marrjen e rezultatit të duhur. Ndërkohë, shumë lojtarë kuqezinj po spikasin me skuadrat e tyre në Itali, Turqi, Kroaci dhe Hungari, por edhe në Zvicër. Ka shqetësime që lidhen me dëmtimin e Lenjanit dhe Abrashit, por edhe entuziazëm për formën e mirë të Manajt, Ismajlit, Berishës, Hysajt, Gjimshitit etj. Ndërkohë, në kuadër të ndeshjeve të kupës së Italisë, shqiptarët e Empolit treguan maturi dhe profesionalizëm, duke ndihmuar skuadrën e tyre të arrijë kalimin e turit.
Shqiptarët “pushtojnë” Empolin
Siç thamë, në kampionatin italian militojnë një numër i konsiderueshëm lojtarësh shqiptarë dhe shumica e formacionit titullar të Kombëtares luan në futbollin italian, në dy kampionatet elitare, Serie A dhe Serie B. Një nga ekipet e rikthyera në Serie A, Empoli, synon që të lerë gjurmë dhe të mbajë pozita komode gjatë sezonit. Pjesë e kësaj skuadre janë edhe disa futbollistë shqiptarë të njohur. Në fakt, me tre futbollistë shqiptarë në fushë, dy prej të cilëve titullarë, Empoli triumfoi me rezultatin 4-2 ndaj Vincenzës dhe siguroi kalimin në fazën e 1/16-ave të Kupës së Italisë. Toskanët e ngjitur rishtazi në Serinë A, mbeten në pritje të startit të sezonit, por bënë detyrën edhe në Kupën e Italisë, duke mposhtur pa shumë vuajtje një kundërshtar modest në letër. Ardian Ismajli dhe Nedim Bajrami ishin shqiptarët që trajneri Andreazoli i hodhi në fushë nga minuta e parë dhe ishte pikërisht fantazisti ai që hapi serinë e golave në minutën e 11-të, pas një asisti të zviceranit Haas. Ky i fundit shënoi edhe vetë në minutën e 30-të, ndërsa më pas ishte radha e Mancosu që të dërgonte topin në rrjetë për herë të tretë, para se Delmonte të ngushtonte diferencën e golave në të 39-ën. Në fillim të pjesës së dytë Delmonte përfitoi nga një tjetër pasiguri e toskanëve dhe rihapi ndeshjen, ndërsa trajneri Andreazoli hodhi në fushë edhe sulmuesin e sapo-afruar Patrik Kutrone, si dhe shqiptarin tjetër Kristjan Asllani. Llogaritë e ndeshjes dhe të kualifikimit i mbylli “Crociata” dy minuta para fundit të lojës, pasi shënoi edhe golin e katërt për Empolin, që kalon kështu në turin tjetër të Kupës së Italisë. Duhet thënë se lojtarë si Hysaj, Gjimshiti, Memushaj, Berisha apo dhe Strakosha, janë futbollistë që gëzojnë reputacion më të madh tek trajneri Edi Reja, por tekniku ka gjasa që t’i ftojë të gjithë këta që luajnë në Itali në grumbullimet e shtatorit.