Mbrëmjen e së shtunës së 14 gushtit, në Kalanë e Bashtovës, u zhvillua një prej evenimenteve më të rëndësishme sportive të vitit, një veprimtari ndërkombëtare e boksit dhe kikboksit, organizuar nga vëllezërit Keta, nën serinë e fuqishme të ndeshjeve sportive me emërtimin kuptimplotë “Duel në Themel”, njohur nga federata botërore dhe transmetuar edhe nga platforma e njohur televizive gjermane, “Bild”. Vendi i zgjedhur për të pritur ndeshjet e boksit ishte Kalaja e Bashtovës, jo rastësisht, sepse aktiviteti kishte si synim jo vetëm të shpaloste cilësitë sportive të konkurruesve, por edhe të reklamonte bukuritë e bregdetit shqiptar dhe njërës prej objekteve të veçanta të mesjetës, sikurse është kalaja në fjalë me një histori 600 vjeçare. Kishte mbi 2 mijë të pranishëm që e ndoqën këtë takim nga platforma e ngritur enkas për këtë mbrëmje boksi, ndërkohë që nuk mungonin personalitete të rëndësishëm të jetës publike, si politikanë, profesorë e rektorë universitetesh, presidenti Alfred Moisiu kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, përfaqësuesi i familjes heroike të Jasharëve në Kosovë, Rifat Jashari, artistë, sportdashës të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare e madje nga Europa, si dhe drejtues të njësive të ndryshme vendore, përfshi dhe E. Memolla, si kryebashkiak i Rrogozhinës. Para se të zhvillohej dueli kryesor, midis Ketës dhe Blokland, për titullin botëror të kikboksit, u luajtën disa ndeshje që patën emocione dhe një rivalitet të spikatur. Shumica e boksierëve që u ngjitën në ring ishin sportistë të skuadrës “Keta Team”, kurse rivalët vinin nga Bosnja, Italia, Serbia, Gjermania etj. të gjithë sportistët treguan nivel të lartë prezantimi, boksim modern dhe brenda rregullave, duke kënaqur spektatorët dhe teleshikuesit. Ra në sy fitorja e Roxher Muslijës, Ervin Ketës, Lulzim Ismailit, Andi Murrjes etj, si dhe barazimi spektakolar mes grekut Bertzioskas dhe Mikel Alliut. Një boksier gjerman mbrojti titullin europian përballë një boksieri nga Maqedonia e Veriut, por asnjë prej këtyre dueleve nuk krahasohej me atë kryesorin, midis Ferit Ketës dhe Guillermo Bloklandit të Holandës.
Tre raunde që sollën titullin botëror në Shqipëri
Shqipëria ka tani një kampion bote në kikboks. Nuk është i pari e s’do të jetë as i fundit, madje nga Dinastia Keta e boksit e kanë dalë tre të tillë deri tani. Ferit Keta ishte përgatitur fuqimisht për këtë duel me 5 raunde dhe e dominoi atë nga fillimi në fund. Keta zgjodhi strategjinë e tij, që ishte pritja e kundërshtarit. Në kikboks kërkohet një përgatitje e gjithanshme e duarve dhe këmbëve, prandaj ky sport është shumë i vështirë. Blokland i tentoi të gjitha lëvizjet, por hasi në një “shkëmb” që nuk tundej. Pa kaluar ende një minutë, Ferit Keta jep gjuajtje në seri që e çorodisin Bloklandin e në fund disa goditje në këmbë që i humbin atij ekuilibrin. Rënia e gongut e shpëton holandezin nga nokauti, ndërsa në raundin e dytë ai u rrëzua sërish si pasojë e goditjeve në breshëri që pësonte në kokë e në ike. Në raundin e tretë Blokland mori goditje fatale, duke mos i rezistuar fuqisë së Ketës dhe 25 sekonda nga fundi i raundit të tretë rrëzohet në tapet dhe nuk ngrihet më. Një fitore që entuziazmoi të pranishmit dhe bëri që Ferit Keta të shpallet kampion i botës në kikboks, ndërsa gjerdanin e kampionti ia vendosi ministrja jonë e sportit, Evis Kushi. Me 15 fitore në 15 ndeshje, Feriti është një prej sportistëve më cilësor të ringut profesionist në Europë dhe në botë.









































