Një burim i Ministrisë së Brendshme ka konfirmuar për mediat ndërkombëtare se talebanët kanë hyrë tashmë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul. Mësohet se kryengritësit po futen nga të gjitha anët e qytetit.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë nisur që të evakuojnë diplomatët nga ambasada e tyre me helikopter.
Zyrtarët amerikanë thanë se diplomatët po transportoheshin në aeroport për t’u larguar nga vendi. Po ashtu bëhet me dije se po dërgohen dhe ushtarë për të bërë të mundur evakuimin e sa më shumë qytetarëve dhe të shmanget ndonjë tragjedi.
Qeveria e Presidentit Ashraf Ghani duket se është në ditët e saj të fundit dhe pritet që të japë dorëheqjen. Një zyrtar taleban i tha Reuters se grupi nuk donte viktima, ndaj ka bërë thirrje për dorëzim dhe armëpushim.
Më herët kryengritësit pushtuan qytetin lindor të Jalalabad pa luftë. Tashmë tilabanët kanë nën kontroll një pjesë të madhe të vendit dhe për pak ditë pritet që të kenë kontroll kudo.
Talebanët marrin Universitetin e Kabulit
Talebanët hyjnë në Kabul. Dëshmitarët në vend e raportuan këtë fakt, duke shtuar se kishte të shtëna në rrugët e kryeqytetit. Duket se pallati presidencial është në mbyllje. Luftëtarët talebanë janë të vendosur në rrethet Kalakan, Qarabagh dhe Paghman. Sidoqoftë, talebanët thonë në një deklaratë se nuk kanë ndërmend të marrin Kabulin “me forcë”.
“Jeta, prona dhe dinjiteti i askujt nuk do të dëmtohen dhe jeta e qytetarëve të Kabulit nuk do të rrezikohet,” thanë ata, duke urdhëruar
luftëtarët të shmangin dhunën në Kabul dhe të lejojnë kalim të sigurt për këdo që vendos të largohet. Talibanët morën kontrollin e Universitetit të Kabulit në pjesën perëndimore të kryeqytetit dhe gjithashtu ngritën flamujt e tyre në një nga rrethet.
E gjithë kjo ndodh pavarësisht faktit se Emirati Islamik ka urdhëruar të gjitha forcat e tij të presin në portat e Kabulit, të mos përpiqen të hyjnë në qytet, siç shkruan Zabihullah Mujahid, zëdhënës i talebanëve, në Twitter. Banorët, megjithatë, konfirmojnë praninë e “luftëtarëve të armatosur talebanë në lagjen tonë” edhe nëse për momentin, sipas një banori të zonës lindore të kryeqytetit nuk ka luftime.









































