Pas 26 vitesh në sistemin e drejtësisë, gjyqtarja Zegjine Sollaku u shkarkua nga detyra më 8 korrik, pasi nuk arriti të justifikonte burimin e ligjshëm të pasurisë së saj familjare, me një vlerë të llogaritur në 5.2 milionë lekë. Sipas vendimit të arsyetuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të siguruara nga gazeta, Sollaku ka mungesë burimesh të ligjshme për investimet e kryera si dhe përballimin e shpenzimeve gjatë karrierës së saj si gjyqtare, ndërkohë që në disa raste, deklarimet e saj u konsideruan të pamjaftueshme. “Në konkluzion, trupi gjykues arrin në përfundimin se: Lidhur me kriterin e pasurisë, subjekti i rivlerësimit ka pasur mungesë të burimeve financiare të ligjshme- sipas parashikimeve të nenit D të Aneksit të Kushtetutës – për të kryer të gjitha investimet dhe, njëkohësisht, për të përballuar shpenzimet apo për të realizuar kursimet e deklaruara. Gjithashtu, subjekti ka kryer disa deklarime të pamjaftueshme dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e krijimit dhe deklarimit të pasurisë; Në lidhje me kontrollin e figurës, subjekti i rivlerësimit arrin një nivel të besueshëm; Në lidhje me aftësitë profesionale të subjektit të rivlerësimit, për sa më sipër, trupi gjykues çmon se ka arritur një nivel kualifikues”, thuhet në vendim. Po ashtu, në vendimin e arsyetuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit bëhet me dije se në adresë të gjyqtares Zegjine Sollaku janë bërë plot 38 denoncime pranë KKP, gjatë kohës që ky organ po vetonte magjistraten. Megjithatë, siç thuhet në vendimin arsyetuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Zegjine Sollaku u hetua në veting për transaksione të padeklaruara, konflikt të mundshëm interesi dhe denoncimet nga publiku, por u penalizua në fund nga aritmetika e analizës së pasurisë.





































