Lojtarët e rinj të Kombëtares, kryesisht ata të moshave, po përpiqen të lënë gjurmë në ndeshjet ndërkombëtare që të kapin mundësinë e kalimit në ndonjë klub cilësor në Europë. Thuajse nga të gjitha skuadrat kombëtare të moshave ka futbollistë të mirë që mund të luajnë në nivele të larta në kampionatet e të rinjve në vendet me futboll të zhvilluar, por për këtë nevojitet më shumë punë nga menaxherët dhe vetë federata. Së fundmi, skuadra kombëtare e 19 vjeçarëve do të ketë një miqësore me moshatarët e Italisë dhe kjo shihet si mundësi që elementët të spikasin dhe të shihen nga klubet e Primaverës në Itali. Përveçse tu japë lojtarëve shansin të tregojnë vlerat e tyre, duket se për shumë specialistë kjo është një mundësi që të rinjtë kuqezi të shohin mundësinë e angazhimit në klubet e Primavera-s italiane. Në fakt, Shqipëria U-19 vazhdon prej një jave grumbullimin dhe stërvitjet për ndeshjen miqësore që do të luajnë më datë 13 gusht, në Coverciano, ndaj Italisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu kanë zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë.
Cungu është optimist
Trajneri Armando Cungu, që gjatë këtij viti ka zhvilluar disa seleksionime dhe ndeshje miqësore me lojtarët e kampionatit shqiptar, tani ka në dispozicion dhe disa element që vijnë për herë të parë, kryesisht nga Italia ku pak kohë më parë u zhvilluan edhe disa seleksionime. Për përgatitjet dhe objektivat e skuadrës U-19 trajneri kuqezi është shumë i qartë. “Në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin dhe stërvitjen që kanë zhvilluar djemtë, kështu që jam i bindur se këtë përkushtim që kanë në stërvitje do ta shfaqim edhe në ndeshjen ndaj Italisë. Ne vazhdojmë punën. Jemi në proces të përzgjedhjes, apo seleksionimit të lojtarëve, në mënyrë që të zgjedhim të duhurit për të qenë të gatshëm për eliminatoret e Europianit që janë në nëntor. Edhe kjo ndeshje me Italinë vlen në këtë drejtim. Në dy ndeshjet miqësore me Kosovën patëm mundësi të shikojmë për herë të parë lojtarët që luajnë jashtë kampionatit shqiptar, si këtë herë që na jepet për herë të dytë kjo mundësi, duke pasur më shumë theksin te lojtarë që luajnë në kampionatin italian. Duke parë që këtë ndeshje e luajmë në Itali besoj se këtë ndeshje e kanë edhe më të mundur për të qenë prezent. Kjo punë e tanishme është pjesë e punës dhe strategjisë tonë që në fund të jemi plotësisht të gatshëm për nëntorin, për eliminatoret”, u shpreh shkodrani.
Lojtarët e përzgjedhur dhe shanset e tyre
Përzgjedhja e elementëve të duhur, me qëllim që të të ardhmen t’i shërbejnë edhe kombëtares së madhe, është objektivi primar i Cungut, që gjithsesi nuk fshihet dhe thekson se paralelisht do të kërkojë edhe arritjen e rezultateve. “Unë dua të arrij në majat më të larta, unë, djemtë dhe Federata jemi në të njëjtin mendim. Unë garantoj që do të bëjmë përzgjedhjet më të mira të mundshme, do të jemi shumë dinjitozë dhe siç kam thënë edhe herë të tjera, do të bëjmë më të mirën me përzgjedhjen që të kemi lojtarë që do ndihmojnë nesër Kombëtaren e madhe. Objektivi i dytë, paralel me përzgjedhjen, është të kërkojmë rezultate, sepse kjo është një moshë madhore, me lojtarë që aderojnë në ekipe të para kështu që duhet të kërkojmë rezultatin”, tha Cungu.









































