Shtetet e Bashkuara e kanë vlerësuar nivelin e dhunës së talebanëve pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga territori i Afganistanit, si të papranueshme dhe që nuk përkon me marrëveshjen e arritur mes Uashingtonit dhe talebanëve.”Sigurisht që nivelet e dhunës, nuk duken në përputhje me atë që u zotuan talibanët në atë marrëveshje”, njoftoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price. Zoti Price i referohet marrëveshjes së arritur në 2020, marrëveshje e cila parashikonte tërheqjen e plotë të trupave ndërkombëtare, pasi talebanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë grupe terroriste në territorin afgan. Ndërkohë realiteti paraqitet shumë më ndryshe. Që me fillimin e tërheqjes së trupave, talebanët kanë ndërmarrë ofensivë për të marrë nën kontroll territorin që administrohej nga Qeveria afgane, madje tashmë kanë marrë në kontroll disa prej qyteteve të mëdha. I dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad është në Katar për bisedime me talebanët në përpjekje për ta detyruar grupin të ndalojë ofensivën e tij gjithëpërfshirëse.
Sulmet amerikane
Ndërkohë SHBA nuk ka ngelur vetëm me deklarata dhe ka nisur tashmë më veprime kundër talebanëve. Pentagoni ka deklaruar se sulmet ajrore amerikane po ndihmojnë në dobësimin e përparimit të talebanëve në të gjithë Afganistanin, megjithëse fuqia ajrore amerikane nuk do të jetë e mjaftueshme për të penguar ofensivën e kryengritësve. Për javë të tëra, Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme nga baza e saj ajrore Al Udeid në Katar dhe nga Gjiri Persik, duke goditur talebanët. “Ne jemi të bindur se sulmet po godasin atë që ne po synojmë dhe po ndikojnë mbi talebanët,” u tha të martën gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Ai pranoi se vetëm sulmet ajrore amerikane nuk do të jenë të mjaftueshme për të bllokuar luftëtarët talebanë. “Askush nuk po thotë, askush nuk ka thënë këtu në Pentagon, se sulmet ajrore janë një ilaç që do të zgjidhë të gjitha problemet, të gjitha situatat në terren. Ajo që ne kemi thënë është se forcat afgane kanë aftësinë, kanë mundësinë dhe përparësinë numerike”, shtoi Kirby. Zyrtarët amerikanë kanë premtuar mbështetje të vazhdueshme për qeverinë afgane dhe forcat e sigurisë përtej afatit të 31 gushtit për tërheqjen ushtarake të Uashingtonit. Kjo përfshin një financim të propozuar prej 3.3 miliardë dollarësh për forcat afgane të sigurisë në buxhetin e propozuar për vitin 2022. Zyrtarët amerikanë gjithashtu thonë se Shtetet e Bashkuara tashmë u kanë siguruar forcave ajrore afgane tre helikopterë të rinovuar Black Haëk që kur filloi tërheqja majin e kaluar dhe se 34 të tjerë janë rrugës. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu në procesin e blerjes së më shumë avionëve sulmues A-29 Super Tucano për Afganistanin dhe vazhdojnë të ofrojë mbështetje mirëmbajtjeje nga larg. Uashingtoni, gjithashtu, ka premtuar se do të vazhdojë të furnizojë forcat afgane të sigurisë me ushqime e pajisje dhe të paguajë pagat e tyre.
Qeveri talebane?
Pavarësisht përparimeve të talebanëve, duke marrë shumë qytete të rëndësishme, bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë tashmë që një qeveri e marrë me dhunë nga talebanët nuk do të njihet. I dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad gjatë vizitës në Katar ka si qëllim të ndihmojë në formulimin e një përgjigjeje të përbashkët ndërkombëtare ndaj situatës së përkeqësuar me shpejtësi në Afganistan. Misioni i tij bëhet i ditur me anë të një deklarate nga Departamenti Amerikan i Shtetit. “Ai planifikon të ushtrojë trysni mbi talebanët që të ndalojnë ofensivën e tyre ushtarake dhe të negociojnë një zgjidhje politike, e cila është rruga e vetme drejt stabilitetit dhe zhvillimit në Afganistan”, tha Departamenti i Shtetit. Sakaq, presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se nuk pendohet për vendimin e tij që të tërheqë trupat ushtarake nga Afganistani, teksa talibanët vazhdojnë të rrisin kontrollin. Biden u ka bërë thirrje liderëve në Afganistan që të bashkohen dhe të luftojnë për kombin e tyre. Duke folur para gazetarëve në Shtëpi të Bardhë, Biden ka thënë se SHBA-ja është duke zbatuar përkushtimet që ka bërë për Afganistanin, përfshirë mbështetjen ajrore, pagat për ushtri si dhe sigurimin e ushqimit dhe pajisjeve për forcat afgane. “Ata duhet të luftojnë për veten e tyre”, ka thënë Biden.









































