Shfaqje të ndryshme teatrore janë pjesë e jetës artistike. Drama dhe komedi vijnë në skena për publikun, por dhe niveli artistik është me rëndësi në produksionet e ndryshme. Për regjisoren e njohur Elma Doresi, fituese e 20 çmimeve me shfaqjet që ka sjellë në skena të ndryshme, me rëndësi është se teatrin zgjedh ta bësh sepse e ndjen. Doresi e cila ka sjellë në skena vepra që kanë marrë vlerësime të publikut dhe kritikës, thotë se nuk bëhet dot teatër për të justifikuar rrogën. “Teatri nuk është normë. Kuptimi i fjalës normë. “Masë e caktuar ose sasia e duhur për diçka; gjendja e rregullt dhe e zakonshme për diçka; sasia e punës ose e prodhimit brenda një kohe të caktuar: normë e lartë (e ulët); normat e shpenzimit (e harxhimit); është brenda normës.” Teatrin zgjedh ta bësh sepse e ndjen jo, sepse duhet ta justifikosh kontratën apo rrogën. Ndjej se ka humbur sensi dhe qëllimi i tij”, shprehet regjisorja Doresi në reagimin e saj në Facebook, që vjen në vijim dhe të atyre më parë për teatrin. Një tjetër problem për regjisoren është dhe plagjiatura në shfaqjet teatrore. Herë pas here nga regjisorja Elma Doresi apo dhe nga emra të njohur të teatrit është pohuar se si ndikon plagjiatura në krijimtari. Regjisorja Doresi ndër të tjera vijon se ky është problem për jetën teatrore. “Përse njerëzit kopjojë, pyeta një ditë një mik dhe tha sepse nuk krijojnë dot, sepse të krijuarit është guxim dhe jo të gjithë e kanë ketë guxim. Të krijosh tha ai do të thotë të guxosh, të rrezikosh, të mendosh se dhe mund të dështosh, prandaj ata nuk e marrin përsipër këtë rrisk. Kështu vijoi ai, zgjedhin rrugën më të shkurtër shohin çfarë kanë bërë të tjerët dhe e bëjnë edhe ata”, shprehet regjisorja.
Plagjiatura sjell dëm
Për regjisoren Elma Doresi duhet të kemi një institucion, që të merret me plagjiaturën në krijimtari. Sipas saj kush vjedh duhet të ketë dhe masën për këtë veprim. “Plagjiatura për mua sjell dëm, sepse një plagjiaturë është vjedhje për mua si Elma. Dhe vjedhja është vepër penale. Prandaj duhet vëmendje tek shfaqjet dhe duhet një institucion, që të merret vetëm me këtë punë. Dhe kush vjedh duhet të marrë dënimin e merituar!”, shprehet në reagimin e saj regjisorja Doresi. Në jetën artistike me 20 çmime të ndryshme, regjisorja Elma Doresi ka pjesëmarrje dhe shtete si Kina, Austria dhe Rumania me veprat teatrore. Ndër çmimet që ka marrë përmendim: Regjia më e mirë, shfaqja më e mirë apo dhe realiteti i ri teatror. Ky i fundit një çmim që ajo thotë se e vlerëson, sepse kishte vite që nuk jepej dhe u kthye për atë. Komedia “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” shkruar nga Rey Conney ishte shfaqja më e fundit teatrore, që regjisorja Elma Doresi solli për publikun. Një vepër, që edhe pse e shkruar në vitet ’80 sipas saj është aktuale dhe në kohën sot. Me një kast aktorësh të njohur, premiera ishte në teatrin e komedisë “Roland Trebicka”.









































