Rritja e infektimeve nga Covid-19 dhe përhapja me ritme të shpejta e varianti të ri ‘Delta’, duket se i kanë frikësuar organizatat e futbollit.
FIFA dhe UEFA janë vendosur që në ndeshjet kualifikuese të Botërorit të cilat do të zhvillohen në muajin shator, të ndalohen tifozët udhëtues. Udhëzimi i marrë nga organizatat i është adresuar të gjitha federatave të futbollit që marrin pjesë në kualifikueset e muajit shator.
Në vijim të monitorimit të situatës, do të vendoset edhe në bashkëpunim me qeveritë e vendeve përkatëse, nëse do të lejohet prania e tifozëve udhëtues në shkallaret e stadiumeve përgjatë muajve tetor dhe nëntor.
Ndërsa për tifozët vendas, organizatat e futbollit janë shprehur se do të respektojnë vendimet e qeverive të secilit shtet pjesëmarrës për kapacitetin e lejuar të tifozëve në stadium.









































