Zbardhen detaje të reja nga tentativa e arratisjes nga burgu 313. Arbër Çekaj, i akuzuar për trafikim droge pasi iu gjetën 613 kg kokainë në magazinat e kompanisë së tij dhe Fatmir Pjetri, një nga anëtarët e bandës kriminale “Babagjyshi”, ishin të burgosurit që u munduan ditën e dielë të arratiseshin nga burgu 313, por tentativa e tyre dështoi. Hetimet vijuan për këtë çështje, nga ku mësohet se këta dy të burgosur nuk kishin bashkëpunëtorë jashtë burgut. Arratisja e tyre ishte në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur mjete rrethanore, si çarçafë dhe një çengel hekuri. Këto mjete siguronin mbajtjen e peshës së tyre, për të zbritur nga kati i tretë – në tokë pa probleme. Kështu, Çekaj dhe Pjetri kishin marrë çarçafët, duke i bërë gërshet dhe lidhën pas çengelin e hekurit. Në këtë plan arratisje u përfshi dhe një burgosur tjetër, përkatësisht shtetasi L. Ç., i dënuar për “Shfrytëzim prostitucioni”, i cili kishte rolin e një personi që do të kryente vetëvrasje. Ky i fundit dha alarmin se do të priste damarët, duke marrë kështu vëmendjen e shumë gardianëve të burgut. Duke përfituar nga ky moment, plus dhe nga fakti që në orën 15:15 ishte orari i ajrimit, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri janë hedhur nga hapësira e ajrimit tek zona e zyrave të administratës, të cilat janë jashtë perimetrit të sigurisë. Tentativa e tyre u pikas nga një oficer i kullës së vrojtimit, i cili ka dhënë alarmin për kolegët e tij. Teksa janë munduar të largohen, të burgosurit kanë goditur një nga gardianët. Në fund, u arrit të bëhej neutralizimi i tyre. Ndërkohë, për këta të burgosur, u vendos lënia në izolim për 90 ditë, teksa çështja vijon të hetohet nga ShKKB, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Në hetime janë përfshirë dhe disa gardianë, të akuzuar për neglizhencë të detyrës. Gjithashtu, mësohet se disa nga këta gardianë dushohet se kanë qenë të përfshirë në planin e arratisjes së të burgosurve.
Akuzat
Kujtojmë se Arbër Çekaj është dënuar me 14 vite burg, pasi në kontejnerin me banane, porositur nga kompania “Abri Garden” nën pronësi të tij, u gjetën 613 kg kokainë. Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018. Ai akuzohet për trafikim droge, paçka se i ka mohuar akuzat, duke u shprehur se po e përdornin atë për të fshehur autorin e vërtetë. Ai u arrestua në Gjermani, tre ditë pas kapjes së sasisë së kokainës. Ndërsa, Fatmir Pjetri ka qenë anëtar i bandës kriminale “Babagjyshi”, bandë që kryente grabitje me armë. Banues në Pukë, 33-vjeçari ishte i shumëkërkuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranës, me vendimin penal të vitit 2018, i dënuar më 30 vite burg. Ai u dënua për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Shtetasi L. Ç., është i dënuar për “Shfrytëzim prostitucioni”. Ndërkohë, për të tre burgosurit, përkatësisht Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe shtetasi L. Ç., po përgatiten kallëzimet penale për kryerjen e veprave penale, “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe goditje për shkak të detyrës. Për ta pritet të merret dënimi maksimal.








































