“Open Balkan” hapi aq shumë debate mes politikës dhe publikut në të dy anët e kufirit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Në lidhje me këtë nismë është deklaruar shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Zonja Kusari- Lila është shprehur se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kosova nuk do të bisedojë aspak për mini-Shengenin, të njohur tashmë si “Open Ballkan”. Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ajo sqaroi se kjo iniciativë e ndërmarrë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, konsiderohet si një iniciativë e njëanshme dhe që Kosova e konsideron proces paralel dhe të dëmshëm për Kosovën. Sipas shefes së grupit të LV-së, është e pakuptimtë që nisma “Open Balkan” të vijojë dhe të shtyhet më tutje. Sipas saj është jo logjike të konsiderohet “Open Balkan” një nismë e cila në realitet është duke u kontestuar nga tre nga gjashtë shtetet ballkanike. “E kemi konsideruar si një proces e para paralel dhe e dyta të dëmshëm, në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative siç është rasti me Minishengen ose “Open Ballkan”, ndërsa së dyti konsiderojmë që fokus duhet t’i jepet shumë më shumë pengesave të deritanishëm që janë bërë sesa iluzioneve që mund të ndryshojë i njëjti shtet në raport me ne ose në raport me të tjerët në Ballkan dhe nuk jemi i vetmi shtet që e refuzon “Open Ballkan”, prandaj nuk mund të quhet si i tillë përderisa tri nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kundërshtojmë një iniciativë të tillë”, ka thënë Kusari-Lila. Gjithsesi ajo ka vlerësuar marrëdhëniet me Shqipërinë dhe është shprehur se raportet me Shqipërinë mbeten të pakontestueshme dhe tepër të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, pavarësisht politikave ditore. “Çka do që mund të jenë nismat apo politikat ditore, raportet e Kosovës me Shqipërinë mbetën të pakontestueshme, raportet më të veçanta për qytetarët e Republikës së Kosovës. Me kryeministrin Rama aktualisht, iniciativën të cilën njëanshëm ai e filloi me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, natyrisht që do të vazhdohet biseda por jo në këtë temë dhe jo për shtetet e kësaj ideje të cilën e thash edhe njëherë pa dallime në Kosovë e kanë kundërshtuar”, deklaroi Kusari-Lila.
Zaev për “Open Balkan”
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev është deklaruar në lidhje me nismën “Open Balkan” të mbështetur nga Shqipëria, Maqedonia e Kosovës dhe Serbia. Zaev, thotë se popujt e vendeve pjesëmarrëse duan të bashkohen, në mënyrë që siç shkruan ai, të kenë të sotme dhe të nesërme më të mirë. ““Ballkani i hapur” është e kundërta e gjithçkaje që deri më sot ishte sinonim ose stereotip për Ballkanin. Udhëheqjet politike të Serbisë, Maqedonisë e Shqipërisë u ulën dhe në një atmosferë miqësore, pa barrën më të vogël se cili vend është më i madh, cili vend është më demokratik, cili ka më shumë histori, cili ka më shumë të drejta për çdo gjë, u ulën në tryezë, folën më hapur dhe u dakorduan se stereotipet e krijuara në të kaluarën nuk janë rregulla”, tha ai. Sipas tij kjo nismë do të thotë që të tre këto shtete kanë marrë në dorë fatin e vendeve dhe popujve përkatës, ekonomitë dhe shoqëritë e këtyre shteteve. “Populli maqedonas, shqiptar dhe serb, dhe të gjithë popujt e tjerë që jetuan në vendet e Ballkanit tonë, kanë të njëjtën rrugë përpara. Ne kemi të njëjtin vizion dhe vlera- këto janë vlera evropiane, jo politika të mureve dhe ndarjeve. Ne ndërtojmë ura, jo mure. “Ballkani i hapur”është një shprehje e vullnetit të fortë politik të Maqedonisë Veriore, Serbisë dhe Shqipërisë dhe një nismë me interesin më të lartë publik”, ka shkruar Zaev. Kryeministri maqedonas e ka konsideruar “Open Balkan” një mini BE dhe pret që përfitimet e kësaj nisme të shihen shumë shpejt. “Nëse shtetet anëtare mund të krijojnë BE, pse ne nuk mund të krijonim një “Ballkan të Hapur”. Ne kemi modelin dhe falënderoj Zotin që mësojmë nga gabimet tona në të kaluarën, por edhe nga gabimet e BE -së. Ne lidhemi me një qëllim të qartë, të hapur dhe publik që popujt tanë të ndiejnë përfitimet e menjëhershme, ekonomike të ndihmës që ne ofrojmë. Ne presim që përfitimet të ndihen shumë shpejt në buxhetin e brendshëm të miliona familjeve, në cilësinë e jetës së miliona qytetarëve”, është shprehur Zaev teksa i ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera ti bashkohen nismës. “Nisma është e hapur dhe i jep dorën të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ne e quajmë qartë “Bashkohuni, për hir të popujve tanë”, përfundoi ai.











































