Rei Manajt i vjen fati në derë. Kur dukej se shanset e tij për të qëndruar me Barcelonën pakësoheshin çdo ditë dhe pritej një huazim në një klub tjetër, dëmtimi i sulmuesit argjentinas Serxhio Aguerro, si dhe largimi i Lionel Mesit, i kanë dhënë një shans qëndrimi e pse jo të pretendojë të jetë titullar në kampion katalanas. Nga ana tjetër, një tjetër sulmues i përfaqësueses kuqezi, ai i krahut, Odise Roshi, edhe zyrtarisht kaloi në ligën turke, ku iu bashkua skuadrës së Bolusporit, skuadër me të cilën luajnë edhe shqiptarët Selmani e Bregu.
Analiza që çon ujë në “mullirin” e Manajt
Shtyhet debutimi i Serxhio Aguerros me Barcelonën. Sulmuesi argjentinas i cili është edhe një nga afrimet e mëdha të Barçës në këtë merkato verore ka pësuar një dëmtim në pulpën e këmbës së djathtë dhe analizat të cilave u është nënshtruar së fundmi El Kun kanë vërtetuar që Aguerros do t’i duhet të qëndrojë për 10 javë jashtë fushave të futbollit. Shtohen dhimbjet e kokës për trajnerin holandez të blaugranave Ronald Kuman i cili pasi humbi Lionel Mesin i duhet të bëjë edhe pa Serxhio Aguerron në javët e para të sezonit të ri në La Liga. Barcelona do të nisë kampionatin në datën 15 gusht me sfidën ndaj Real Sociedad në “Camp Nou”, por ish-sulmuesit të Mançester Sitit do t’i duhet të presë muajin nëntor për të debutuar në një ndeshje zyrtare me katalanasit. Aguerro pasi i përfundoi kontrata me Mançester Sitin zgjodhi ta vazhdonte karrierën pikërisht te Barcelona për shkak të Lionel Mesit dhe me largimin e yllit argjentinas, qarkulluan zëra edhe për një lamtumirë të menjëhershme të El Kun nga Barça, zëra që u hodhën poshtë nga vetë sulmuesi 33-vjeçar. Me dëmtimin e Serxhio Aguerros rriten ndërkohë shanset që Rei Manaj i cili ka marrë rregullisht minuta në miqësoret e kësaj vere me Barçën të qëndrojë në “Camp Nou” dhe të jetë pjesë e skuadrës së parë në sezonin e ri të La Ligas.
Manaj luan 15 minuta, pati një shans për gol në trofeun “Gamper”
Vetëm dy ditë më parë, Barcelona mposhti në kuadër të trofeut “Gamper” Juventusin, me një lojë e rezultat bindës, në një takim ku saktësia në episode të veçanta ishte vendimtare. Ndërkohë, rreth 15 minuta në fushë edhe për Rei Manaj, që u aktivizua në të 78-tën në vend të Brejthuejt. Sulmuesi kuqezi pati pak kontakte me topin, megjithatë në një moment po të tregohej pak më shumë i vëmendshëm mund ta dërgonte topin në rrjetë.
Roshi firmos me Bolusporin, i bashkohet Selmanit e Bregut
Kampionati elitar turk shndërrohet në tokën e premtuar për futbollistët shqiptarë, madje dhe për ata të konfirmuar në arenën ndërkombëtare. Odise Roshi është i fundit që transferohet futbollin turk, pas një përvojë pesëvjeçare tek Akhmat Grozni në kampionatin rus. 30-vjeçari ka firmosur për Bolusporin, në Ligën e Parë turke, kontratë njëvjeçare me të drejtën e rinovimit edhe një sezon tjetër. Pjesë e kësaj skuadre janë edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë, portieri Gentian Selmani dhe Dejvi Bregu. Në njoftimin e klubit turk i mëshohet faktit që Roshi ka luajtur në 20 ndeshje të Bundesligës, kur ishte pjesë e Kolnit, si dhe kontributit të tij me 59 ndeshje dhe 5 gola në përfaqësuesen kuqezi.








































