Mbrëmjen e 14 gushtit do të zhvillohet një prej evenimenteve më të mëdha të sportit për këtë vit, një mbrëmje boksi e kikboksi, madje në ring do të diskutohet edhe titulli botëror në K1 kikboks, një titull që lakmohet nga “gladiatori” i boksit, Ferit Keta. Për gladiatorët duhet edhe një arenë dhe për këtë qëllim, organizatorët kanë zgjedhur Kalanë e Bashtovës në bregdetin shqiptar. Do të jetë një mbrëmje e zjarrtë, por padyshim që dueli midis Ferit Ketës dhe kampionit holandez Blokland, për titull botëror, ia shton “ethet” mbrëmjes së madhe të ringut. Synohet fitorja e titullit botëror dhe për Feritin ky është ndoshta momenti deciziv i karrierës. Me statistika mbresëlënëse deri tani, ku numëron 14 fitore në 14 ndeshje, “gladiatori” Ferit Keta ka shansin të rrëmbejë këtë herë një gjerdan botëror në kikboks, për t’i dhënë një dimension më të arrirë karrierës së tij në ring.
Përgatitja dhe ambiciet
I kontaktuar nga gazeta “SOT”, Ferit Keta zbulon se përgatitjet kanë shkuar mirë dhe se ai ndihet i motivuar për të bërë maksimumin në duelin me holandezin Blokland. Madje Feriti nuk e fsheh që ndihet i lumtur që ndeshja luhet në një kështjellë sikurse është ajo e Bashtovës. “Përgatitja ime ka shkuar shumë mirë dhe ndihem në formë. Nga ana tjetër, jam i lumtur që ndeshja zhvillohet në një kala shekullore siç është kalaja e Bashtovës. Kjo më motivon akoma më shumë”, theksoi ai. Po kush është kundërshtari i Feritit në këtë mbrëmje të madhe boksi? Cili është holandezi Blokland dhe a e ka studiuar Feriti atë? Përgjigjen e jep vetë djaloshi nga Bulqiza, një boksier me cilësi të rralla. “Po, kundërshtarin e kam studiuar deri diku mirë. E vërteta është se rivali im ka shumë sukses në këtë sport, e megjithatë, unë jam shumë i përgatitur për këtë ndeshje. Në këtë mbrëmje ku luhet për titull botëror, unë dua të nderoj veten dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Pritshmëritë ndaj meje janë të larta dhe do të përpiqem që të plotësoj dëshirën e sportdashësve dhe fansave të mi”, nënvizoi më tej Ferit Keta.
Shanset e fitores
Nga dinastia Keta e boksit kanë dalë kampionë të mëdhenj të ringut, si vëllezërit Ismail dhe Gjetan Keta. Feriti është një tjetër kampion i dalë nga kjo familje dhe pesha e mbrëmjes së 14 gushtit në Kalanë e Bashtovës është kryesisht tek ai. Natyrisht, duelin po e përgatit bashkë me trajnerin Ismail Keta, i cili ka rezultuar një strateg i ringut deri më sot. Në një mbrëmje ku luhet për titull botëror, motivimi është më i madh, por edhe përgjegjësia është më e madhe. Dhe kjo bëhet më emocionuese kur del nga goja e sportistit, i cili, me këtë rast, apelon për pjesëmarrje në këtë mbrëmje. “Kuptohet që për mua është një përgjegjësi shumë e madhe dhe unë do të jap maksimumin nga vetja që në atë kala madhështore të festohet fitorja ime. Boksi është sporti ku asgjë nuk duhet të merret si e mirëqenë. Gabimi më i vogël mund të të shkatërrojë karrierën dhe…jetën. Për të pasur sukses duhet të kesh pasion dhe talent, por jo vetëm. Të fitosh duhet të vendosësh në lojë edhe zemrën. Unë do të luftoj për ta sjellë titullin botëror K1 të kikboksit në Shqipëri. Ju duhet të jeni tek Kalaja e Bashtovës më14 gusht”, thotë në fund Ferit Keta.









































