Monodrama “Bluz per Alto Sax” është përzgjedhur të jetë pjesë e festivalit “Nishvill Jazz Festival”. Vepra “Bluz per Alto Sax” e autorit Doru Motoc sjell përpjekjet me fatin dhe është me regji nga Adonis Filipi dhe interpretim nga aktori Xhuliano Brisku. Në jetën artistike në skenat teatrore Xhuliano Brisku ka sjellë role të ndryshme, por ndër më të fundit në aktivitetin e tij është dhe personazhi në monodramën “Bluz per Alto Sax”. Festivali ndërkombëtar zhvillohet në qytetin e Nishit në Serbi. Aktori Xhuliano Brisku tregon se është një festival jo garues, ku marrin pjesë trupa të ndryshme me shfaqjet e tyre. “Festival ndërkombëtar një ndër më të veçantët në Ballkan. Trupa të huaja nga Hollanda, Italia, Bullgaria, Franca, Brazili, Serbia, etj, do të përformojnë nga data 6 deri me datën 10 gusht. Shfaqja nisi turin e saj në këtë festival dhe pritet që të shkojë edhe në festivale kombëtare edhe ndërkombëtare në vijim”, u shpreh aktori Xhuliano Brisku në një reagim të tij para nisje së festivalit. Me këtë pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar “Nishvill Jazz Festival”, aktori Xhuliano Brisku thotë se synimi është që të përfaqësohen sa më mirë. “Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë dhe ta përfaqësojmë sa më mirë vendin me këtë shfaqje”, pohon aktori.
Shfaqja për publikun
“Bluz per Alto Sax” do të jetë në festival nesër më datë 8 gusht. Më parë në Tiranë ajo u shfaq për shkak të situatës me pandeminë si një premierë e mbyllur me pak publik. Aktori Xhuliano Brisku me rol në këtë vepër teatrore shprehet se në vijim pritet që të jetë dhe për publikun e gjerë në Tiranë dhe më tej. “Në Tiranë ishte premiera e mbyllur, megjithëse u bënë dy shfaqje me pak spektatorë për shkak të situatës nga covid-19. Komentet ishin pozitive, duke shprehur se shfaqja ishte si një recital, me një histori të jashtëzakoshme nga Doru Motoc, emocionuese dhe atraktive. Presim që shfaqja të shfaqet për publikun e gjerë në Tiranë po dhe në disa teatro të tjerë të vendit”, thotë aktori. Për aktorin Xhuliano Brisku “Bluz per Alto Sax” e autorit Doru Motoc e përcjell mjaft mirë rrugën e fatit tonë dhe përpjekjet për tu përballur me të në të gjitha format e ndryshme.“Dhe ajo që do ta shpëtojë prej makthit të saj është vetëm pasioni i brendshëm, dashuria për jetën dhe magjia e të bukurës”, thotë aktori. Vepra ka në qendër një personazh aq kompleks, por dhe aq frymëzues. Bën fjalë për një saksofonist, i cili fati e ka dërguar në qeli të vuajë një dënim të përjetshëm për një vrasje aksidentale të shokut të tij, e cila i ka kushtuar atij lirinë fizike, por jo atë shpirtërore. I ndodhur në këtë situatë, ai përpiqet me çdo kusht të gjejë lirinë e brendshme brenda asaj hapësire të vogël, duke u frymëzuar dhe duke gjetur paqe shpirtërore dhe mentale nga dashuria dhe pasioni i tij për saksofonin. Çfarë është fati? A është fati zoti i gjithçkaje? Kjo është pyetja, që edhe sot shumë njerëz i mban peng. Me regji, ide skenik dhe dizajn muzikor nga Adonis Filipi, kostumet në vepër janë përgatitur nga Sofi Kara dhe as. regjisor Arjon Osmani.









































