Grupi i parë i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet që të nisë punë javën e ardhshme. Ditën e djeshme është mbyllur procesi i trajnimit nga FBI dhe tashmë SPAK do të ketë policinë e saj gjyqësore. Lajmi është bërë i ditur, nga zëvendës Ambasadori i SHBA Demian Smith, i cili ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të hetuesve. Ai u shpreh, se të zgjedhurit që do të bëhen pjesë e SPAK do të punojnë fort për të luftuar korrupsionin dhe krimin në vend. Ai theksoi, se dy nga institucionet më të rëndësishme në vend të drejtësisë tashmë janë bërë funksionale. “Urime për arritjen tuaj! Sot, kur të ecni nëpër këtë platformë, do të merrni certifikatën e diplomimit tuaj. Do të bëheni hetues të BKH-së. Nga 700 kandidatë, ju jeni të 27-ët që ia dolët mbanë, jeni më të mirët e më të mirëve. Ju jeni shembull guximi dhe përkushtimi që bëtë përpara për t’i shërbyer vendit tuaj gjatë kësaj kohe të rëndësishme. Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë”, tha ai.
Paralajmërimi amerikan
Teksa iu drejtua të përzgjedhurve, zëvendës Ambasadori i SHBA Demian Smith, u shpreh se duhet që të bëhet ndjekja penale ndaj gjithë atyre që shkelin ligjin. Ai theksoi, se ditëve të pandëshkueshmërisë për të korruptuarit tashmë u ka ardhur fundi. “Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme. Ky i sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar”, tha ai.
Mbështetja e SHBA
Zëvendës Ambasadori i SHBA Demian Smith, u shpreh se reforma në drejtësi në vend nuk ka qenë e lehtë, por sipas tij, ka ecur përpara. Ai theksoi se tashmë institucionet e drejtësisë janë funksionale. Zv.ambasadori theksoi se po ashtu, vendi do të ketë gjithmonë mbështetjen e SHBA. “Dhënia e drejtësisë për bashkëqytetarët tuaj është një mision i rëndësishëm dhe sfidues. Reforma në drejtësi në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ju e bëni sepse është e vështirë. Dhe tani po shohim rezultate. Të gjitha institucionet e krijuara nga miratimi i reformës në drejtësi në vitin 2016 janë tashmë plotësisht funksionale. Si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për t’ju mbështetur. Qoftë për ta zhvilluar BKH-në si institucion; qoftë për të rritur aftësitë profesionale; apo për t’i ofruar ndihmë BKH-së”, deklaroi Smith.









































