Shqipëria mbylli angazhimet e saj në Lojërat Olimpike të Tokios, me atleten Luiza Gega që garoi në finalen e 3000 metrave me pengesa, ku zuri vendin e 13-të. Ishte larg kohës së saj më të mirë por për sportisten mund të thuhen fjalë të mira se ishte e para në historinë e përfaqësimit tonë olimpik që arriti në finalen e një gare atletike. Sportistët e tjerë, me përjashtim të Briken Caljes që zuri vend të katër dhe për vetëm 1 kg nuk ia doli të fitojë medalje bronzi, ishin pak a shumë në parametrat e tyre sportivë dhe në rezultatet e tyre, por pa pretendime për medalje. Pra Shqipëria nuk fitoi asnjë medalje në këtë Olimpiadë, por Calja me vend të katërt dhe Gega që shkoi në finalen e një gare vrapimi janë progres.
Gara e Luiza Gegës
Sytë e sportdashësve shqiptarë ishin dje tek Luiza Gega, e fundit nga sportistët e ekipit tonë olimpik që garonte për një vend nderi. Në fakt, sportistja e kishte arritur qëllimin e saj, që të shkonte në finale. Nga 16 finaliste, atletja shqiptare la pas dy nga garuese, teksa një atlete nuk u prezantua, duke u renditur kështu e 13-ta me kohën 9 minuta, 34 sekonda e 10 të qindtat. Vlen të përmendet se për 32-vjeçaren është një kohë jo ndër më të mirat e karrierës, më konkretisht është 8 sekonda e 5 të qindtat më shumë se rekordi i saj i vendosur në Oslo 4 vjet më parë me 9 minuta 26 sekonda e 5 të qindtat. Gjithsesi mund të përkufizohet një përfaqësim dinjitoz në një garë të vështirë mes ajkës së atletikës botërore. Gara nisi me ritëm të lartë, me Luizën që ishte e fundit në xhirot e para, kur synimi ishte të mos lejonte një shkëputje të grupit për të tentuar maksimumin e saj. Amerikania Kortni Frieriçs, që merr kryesimin, nuk ka bërë llogaritë më atleten nga Uganda Peruth Çemutai, që në xhiron e fundit bën mrekullinë i merr kryesimin 250 metra para finishit për ta fituar garën me kohën 9 minuta, 1 sekondë e 45 të qindtat, duke fituar medaljen e parë të artë për Ugandën në këtë kategori me rekordin e saj kombëtar. Vendi i dytë për amerikanen Frieriçs mes lotësh për një garë të humbur në fund, ndërsa i treti për kenianen Hajvin Kieng. Siç thamë, me përfaqësimin e Luiza Gegës mbyllet edhe aventura e ekipit shqiptar në Lojërat e Tokios, pa asnjë medalje, arritje më afër së cilës ishte vetëm Briken Calja, kurse Luiza Gega mund të krenohet me faktin se bëhet e para sportiste shqiptare që arrin një finale atletike në Olimpiadë.
Renditja e sportistëve shqiptarë
Shqipëria mori pjesë në Olimpiadën e Tokios me 9 sportistë. Në xhudo, Indrit Cullhaj u eliminua që në ndeshjen e parë, për shkak të një dëmtimi. Në qitje, Manuela Delilaj garoi në pistoletë 10 m dhe pushkë 25 m, pa lënë gjurmë. Në kalin me doreza, rusi Matvei Petrov që garonte për Shqipërinë, u rendit i dhjeti. Në not, Kledi Kadiu garoi në 100 m stil i lirë, u rendit i 52-ti nga 71 konkurrentë. Po në not, në 50 m stil i lirë, Nikol Merizaj u mjaftua me një rekord kombëtar, duke u renditur në vend të 42-të nga 83 konkurrente. Në peshëngritje, Erkand Qerimaj në peshën 81 kg zuri vendin e nëntë në dygarësh, kurse Briken Calja, vendin e katërt në 73 kg, duke qenë më afër medaljes. Në atletikë, Izmir Smajlaj në kërcimin së gjati me 7.86 m, zuri vendin e 18-të, kurse Luiza Gega në 3000 m me pengesa vendin e 13-të. Asnjë medalje për Shqipërinë, por shqiptarët e Kosovës fituan dy të arta, një arritje në rang kombëtar.





































