Google search engine
Home Sport Laçi për të shkruar historinë në Conference League, sot dueli i parë...

Laçi për të shkruar historinë në Conference League, sot dueli i parë me Anderlehtin në “Elbasan Arena”

0
383

Në kupat e Europës synimet janë të kapësh fazën e grupeve, por deri më sot vetëm Skënderbeu ia ka dalë të krijojë një reputacion suksesi, reputacion që u njollos disi me penalizime që i bëri UEFA për akuzat në përfshirje kurdisjesh të ndeshjeve. Ndërkohë, këtë edicion, ecuri të mirë kanë pasur dy skuadra, Teuta dhe Laçi. Sidomos ky i fundit ka bërë një progres të madh vitet e fundit dhe është gati të shkruajë historinë, edhe pse shorti i ka vënë përballë një prej emrave të mëdhenj të futbollit belg, si Anderlehti. Në fakt, Laçi gati për t’i dhënë më tepër bukuri përrallës europiane që po përjetojnë kurbinasit nën drejtimin e Shpëtim Duros. Pasi bënë historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në raundin e tretë të një kompeticioni europian, bardhezinjtë nuk duan të ndalen dhe me besimin se mrekullitë, edhe pse rrallë ndodhin, shikojnë me optimizëm drejt sfidës me Anderlehtin. Natyrisht është një kundërshtar i një tjetër niveli, përfaqëson skuadrën më të suksesshme të Belgjikës në kompeticionet europiane, klub me tjetër histori, organizim, dhe një skuadër që në total vlen diku të 100 milionë euro, dhe që drejtohet nga një emër i njohur si Vincent Kompani. Emra dhe shifra për të bërë të kuptohet hendeku i madh mes dy realiteteve, por futbolli është i bukur pikërisht për shkak të surprizave dhe te Laçi ëndërrojnë të bëjnë një të tillë si ajo e Davidit kundër Golias. Natyrisht, aspekti pozitiv për kurbinasit është se kanë përmbushur pritshmëritë dhe tani gjithçka përballë një kundërshtari kaq të fortë është një bonus, por në kampin e Shpëtim Duros janë të vendosur për të dhënë maksimumin, për të provuar çdo shans që ekziston për të tentuar “play-off”-in. Arma e fortë natyrisht grinta dhe besimi i një grupi të gatshëm për të vënë shpirtin në fushë, për të mos u dorëzuar kurrë, si në kualifikimin ndaj Podgoricës, apo të aftë edhe për të vuajtur për të shijuar triumfin, siç bënë në ndeshjen e kthimit me Kraiovën, ndaj dhe do të jetë një ndeshje e tëra për të mos u humbur, që luhet në “Elbasan Arena”, këtë të enjte, në orën 19.00. Laçi në këtë sfidë do të mund të mbështetet edhe të përkrahja e tifozerisë, në një sfidë të destinuar për të mbetur në historinë e futbollit kurbinas.

Mungesat, shqetësimi i vetëm për trajnerin Duro

Ndërkohë që po bëhen gati për duelin e madh të turit të tretë, në radhët e kurbinasve shqetësuese janë mungesat. Sipas informacioneve që vijnë nga klubi, Julian Shehu mund të mos jetë mungesa e vetme e Laçit në sfidën e parë të raundit të 3-të të Conference League ndaj belgëve të Anderleht, pasi përveç mesfushorit të skualifikuar për shkak kartonësh, trajneri Shpëtim Duro mund të mos ketë në dispozicion një tjetër element me shumë peshë në skuadër, bëhet fjalë për Mentor Mazrekajn i cili ka pësuar një dëmtim në stërvitje ditën e martë dhe nga sa mësohet do të jetë shumë e vështirë që të rikuperohet në kohë për sfidën e të enjtes në Elbasan Arena. Nëse Mazrekaj nuk ia del atëherë vendin e tij në treshen e sulmit mund ta marrë një mes Ilird Ademit afrimit më të fundit të kurbinasve dhe të riut të talentuar Fatmir Prengaj duke patur parasysh edhe mungesën e Dave Harmon që ende nuk ka debutuar në Europë me Laçin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here