Kuqezinjtë po shfrytëzojnë këtë periudhë transferimesh verore për të arritur objektivat e tyre madhore në treg dhe këtu është fjala për futbollistët të cilët nuk kanë një vendqëndrimi të sigurt apo që nuk kanë fare skuadër. Lëvizjet më të bujshme kanë qenë ato të Armando Brojës që zgjati kontratën me Çelsin, apo dhe kthimi i Armando Sadikut në Spanjë, këtë herë me fanellën e Las Palmasit. Ndërkohë, vëmendjen e orëve të fundit e ka marrë Rei Manaj, i cili ka marrë oferta nga klube serioze në Spanjë dhe në Itali, por Barcelona po kërkon kohë të vendosë rreth të ardhmes së tij, pra nëse do ta mbajë apo do ta shesë. Nga ana tjetër, shumë lojtarë kuqezinj po tentojnë të gjejnë destinacione më të mira për karrierën e tyre, por më shumë lëvizje kanë qenë në Hungari, Turqi dhe Zvicër.
Manaj në qendër të vëmendjes
Sulmuesi kuqezi, Rei Manaj, mund të konsiderohet zbulimi i madh i Barcelonës gjatë fazës përgatitore. Autor i katër golave në ndeshjet miqësore, futbollisti i Kombëtares Shqiptare ka shfrytëzuar më së miri mundësinë që iu dhanë për t’u stërvitur në ekipin e parë të “blaugranave”, por nuk dëshiron të nxitojë për të ndryshuar klub, edhe pse për të ofertat nuk kanë munguar. Siç raportohet nga “El Mundo Deportivo”, sulmuesi 24-vjeçar ka tri oferta specifike: nga Kadiz në Spanjë, Sasuolo në Itali dhe Famalicao në Portugali, klube që po konkurrojnë për shërbimet e Manajt, i cili ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2023. Manaj dëshiron të vazhdojë të shfrytëzojë mungesën e të sapoardhurit, Kun Aguerro, për të reklamuar veten. Nëse ai vazhdon të shfaqet si goleador në ndeshjet parasezonale, atëherë klube edhe më të rëndësishme pritet të trokasin për shërbimet e tij. Për Barçën është e qartë se 24-vjeçari duhet të shitet. Orët e fundit, janë shfaqur edhe dy klube që kërkojnë shërbimet e lojtarit shqiptar. Bëhet fjalë për Betisin e Seviljes, në Spanjë, dhe një skuadër të Serisë A, por që nuk i është zbuluar emri. Katalanët paguan 2.7 milionë euro për sulmuesin për ta blerë nga Albacete, tani po planifikojnë ta shesin për të arkëtuar 5 milionë euro plus bonuset.
Sulmuesi/ Sadiku nuk e fsheh lumturinë e rikthimit në La Liga spanjolle
Sulmuesi i përfaqësueses kuqezi, Armando Sadiku, i dha lamtumirën FC Bolivar duke hequr dorë edhe nga disa paga vetëm që të kthehej përsëri në Spanjë, pasi mësoi për interesin e Las Palmas. Lojtari pranoi menjëherë ofertën që i mbërriti dhe kështu u kthye në Europë për të vazhduar karrierën e tij pas një etape jo shumë të suksesshme në Amerikën e Jugut. Ai ka zbarkuar sot në ishullin spanjoll dhe ka qenë vetë klubi që ka postuar fotot e tij pas mbërritjes, teksa mbante shallin e Las Palmas. “Sadiku tani është në ishull. Mirë se erdhe në shtëpi”, shkruante klubi në rrjetet sociale përkrah fotos që tregonte mbërritjen e sulmuesit shqiptar. Ai do të kryejë nesër vizitat mjekësore dhe më pas do të hedhë firmën në kontratë e prezantohet zyrtarisht si lojtari më i ri i këtij klubi. Kjo lëvizje mund t’i kthejë Sadikut ditët e tij më të mira, për më tepër në një kampionat cilësor.









































