Prokuroria e Posaçme ka shtrirë hetimet edhe jashtë vendit për disa zyrtarë të lartë në vend, të dyshuar për përfshirje në afera korrupsioni. Nga rreth 209 dosje korrupsioni në 8 raste po hetohet jashtë. Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK, janë nisur disa kërkesa jashtë vendit që kanë të bëjnë me hetime në fushën e veprave penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 244, 319, 319/ç të Kodit Penal, të cilat zënë 4,6 % ose 3 prej numrit total. Po më tej bëhet me dije se gjatë vitit që lamë pas, ka pasur letër-porosi në disa shtete edhe për 5 persona të tjerë të akuzuar për disa vepra penale. Në listë janë dhe disa gjyqtarë dhe prokurorë. “Kërkesat në lidhje me hetime në fushën e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e lidhur me subjektet e Prokurorisë së Posaçme, “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë“, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, parashikuar nga nenet 248, 244, 258, 319, 319/ç, 258, 260 të Kodit Penal, zënë 12,8 % ose 5 prej numrit total”, thuhet në dokumentin e SPAK të siguruar nga gazeta. Sipas burimeve, një ndër emrat për të cilët SPAK ka kërkuar ndihmën e partnerëve është ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla. Për të është bashkëpunuar me Gjermaninë dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë në listë janë dhe 7 të tjerë.











































