Google search engine
Home Ekonomi Albtelecom drejt shitjes për shkak të humbjeve, një kompani hungareze shpreh interes...

Albtelecom drejt shitjes për shkak të humbjeve, një kompani hungareze shpreh interes për ta blerë, zbardhen detajet

0
617

Operatori i shërbimeve fikse të komunikimit në Shqipëri, Albtelecom, pritet të blihet nga një kompani hungareze. Aksionerët e Albtelecom po shohin mundësitë e shitjes së kompanisë dhe për këtë proces kanë kontraktuar një nga katër kompanitë e mëdha të konsulencës financiare EY, ndërsa procesi ende është në një fazë të hershme dhe nuk ka ende një afat për përfundimin e tij. Sipas “Monitor”, deri tani janë dy kompani që kanë shprehur interes për blerjen e Albtelecom, një nga të cilat është kompania hungareze e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, 4iG. Privatizimi i Albtelecom, po bëhet pasi kompania ka pasur vetëm humbje. Në vitin 2007, operatori më i madh i shërbimeve fikse në vend, Albtelecom, u ble nga konsorciumi turk CETEL (i përbërë nga aksioneri kontrollues, grupi Çalik dhe aksioneri i pakicës Turk Telekom), për 120 milionë euro. Por, ky investim nuk ka rezultuar shumë i suksesshëm për kompanitë turke. Që nga privatizimi e deri më sot, Albtelecom ka qenë me humbje, për shkak të dështimit për të fituar pjesë domethënëse në tregun celular, rënies graduale të pjesës së tregut të shërbimeve fikse, por sidomos peshës shumë të lartë të shpenzimeve financiare në bilanc, të lidhura me borxhet e mëdha të kompanisë. Albtelecom vazhdon të kryesojë tregun e shërbimeve fikse të komunikimit, me të ardhura totale për vitin 2020, në vlerën e 3.9 miliardë lekëve. Kjo shifër përbënte rreth 41% të volumit të përgjithshëm të tregut. Megjithëse vazhdon të kryesojë tregun, të ardhurat e Albtelecom kanë pësuar rënie me 12% krahasuar me një vit më parë. Sipas pasqyrave financiare të kompanisë, Albtelecom e mbylli vitin 2020 me humbje neto në vlerën e 1.17 miliardë lekëve, në rritje me 82% krahasuar me një vit më parë. Përkeqësimi i rezultatit financiar erdhi nga rënia e bazës së të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve financiare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here