Teuta bën përmbysjen e madhe, mposht D’Escaldes pas 120 minutash, kap raundin e tretë

0
243

Teuta bëri befasinë e madhe ditën e djeshme në duelin e kthimit me kampionët e Andorrës, Inter Klub D’Escaldes, duke përmbysur disfatën e parë të shkaktuar në Durrës (0-2) dhe duke fituar me shifrat 3-0 pas 120 minutash lojë. Në fakt, durrsakët, të kritikuar ashpër nga publiku sportdashës në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, por edhe me “kërcënime” nga stafi teknik i ekipit dhe drejtuesit, për rishikim kontratash, duket se bënë lëvizjen e duhur, duke e fituar përballjen e kthimit me modestët e Andorrës. Loja e rregullt përfundo0i 2-0 për Teutën dhe kjo i mundësoi skuadrës durrsake ta çonte ndeshjen në shtesë, aty ku edhe do të bënte diferencën e madhe dhe do ta siguronte kualifikimin. Pra Teuta e përmbysi rivalin dhe tani kalon automatikisht në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, një arritje e rëndësishme për momentin e skuadrës së trajnerit Edi Martini.

Ndeshja

Protagonist në këtë takim u bë sulmuesi veteran Sebino Plaku, i cili realizoi dt gola, një në pjesën e parë e një në pjesën e dytë. Duhet thënë se Teuta e dominoi takimin nga fillimi në fund dhe kishte nxjerrë mësimet e duhura nga dueli i parë i luajtur në “Niko Dovana” javën e kaluar. Këtë herë durrsakët u mbrojtën mirë dhe nuk i lanë hapësira kundërshtarit. Ndërkohë, Plaku shënoi në minutën e 25-të, duke i dhënë shpresë Teutës, e po i njëjti lojtar realizoi në minutën e 80-të, duke balancuar shifrat me takimin e parë. Madje Plaku pati një rast ideal në minutën e fundit të lojës, por edhe pse i vetëm me portierin, ai e dërgon topin në duart e gardianit të skuadrës D’Escaldes. Një rast ideal për ta mbyllur takimin me fitore të thellë dhe kualifikim direkt. Loja e rregullt përfundon kështu 2-0 në favor të durrsakëve dhe për të përcaktuar skuadrën që vazhdonte më tej në Ligën e Konferencës duhej luajtur shtesa 30 minutëshe. Në minutën e 104-t Teuta siguron një penallti, e cila shndërrohet në gol nga Sherif Kallaku. Ky gol, i ardhur në momentet e fundit të shtesës së parë, i dha qetësinë e duhur Teutës të administronte lojën dhe ta mbyllte 120 minutëshin pa e prekur portën e saj, pra duke fituar me rezultat të përgjithshëm 3-0 dhe për pasojë duke merituar kalimin në turin e tretë të Conference League.

Rivali i radhës

Suksesi i durrsakëve në raundin e dytë kualifikues, i dha të drejtën skuadrës së trajnerit Edi Martini të vazhdojë më tej. Por, në raundin tjetër, durrsakët i pret një rival i vështirë, skuadra irlandeze Shamrok Rovers. Ndeshja e parë do të luhet në Irlandë në datën 5 gusht, ndërsa ndeshja e kthimit në “Niko Dovana” një javë më vonë, pra më 12 gusht. Ky pritet të jetë një test mjaft i vështirë për Teutën, por koha që ka para e favorizon për të forcuar sa më shumë skuadrën për të bërë paraqitje dinjitoze. Pra, në raundin e tretë të Conference League, Teuta do të përballet me një prej skuadrave të njohura të Irlandës, sikurse është Shamrok Rovers, ku dueli i parë është në transfertë dhe vetëm ai i kthimit luhet në Durrës. Teuta do të përpiqet të mos pësojë gol në takimin e parë, ndërsa në kthim do të shfrytëzojë elementin fushë për të arritur objektivin e saj madhor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here