Me kalimin e ditëve po pakësohen shanset e ekipit kombëtar olimpik shqiptar për një medalje, sepse nga 9 sportistë gjithsej, 3 e janë mbyllur garën e tyre pa arritur ndonjë gjë të rëndësishme. Kështu, më mirë është paraqitur rusi Petrov në gjimnastikë,q ë këtë herë përfaqësonte ngjyrat kuqezi. ai u rendit në vend të nëntë, një pozicion i kënaqshëm. Ndërkohë, Manuela Delilaj pati një rekord kombëtar në qitje, por nuk arriti në radhën e më të mirave, kështu që ngushëllim është përmirësimi i rezultatit, kurse dje ishte radha e notarit Kledi Kadiu të tregonte vlerat e tij në 100 m stil i lirë, pra në not, por dhe pse me paraqitje të mirë, ai nuk mundi të shkonte më tej, pra u eliminua që në garën e parë.
Kadiu, i 52-ti nga 71 garues
Ditën e djeshme ishte radha e notarit Kledi Kadiu, në pjesëtarët e delegacionit shqiptar të “Tokio 2020”, që konkurroi në garën e 100 metrave stil i lirë. Në gjysmëfinale u kualifikuar notarët që kishin regjistruar 16 kohët më të mira, por Kadiu nuk ishte mes tyre, pasi e mbylli baterinë e tretë në vendin e pestë me kohën 51”65. Nga 71 pjesëmarrës në këtë garë, Kledi Kadiu u rendit në vendit e 52-të. Ndërkohë notarja shqiptare, Nikol Merizaj, do të garojë më 30 korrik, në disiplinën 50 metra stil i lirë.
Briken Calja, shpresa e kuqezinjve për një medalje olimpike
Ditën e sotme do të zbresë në pedanë një nga pjesëtarët e ekipit olimpik shqiptar dhe është fjala për sportistin që është më afër rezultatit për medalje olimpike. Pra bëhet fjalë për Briken Caljen, që do të garojë në peshëngritje, për peshën deri në 73 g. Sportisti është përgatitur dhe ndihet gati dhe ai konsiderohet si shpresa e madhe e kuqezinjve për jë medalje olimpike. “Erdhi dita që kam shumë vite që e pres! Nesër në orën 12:45 ju ftoj të gjithëve të më ndiqni në Olimpiadën e Tokio 2020 ku do të garoj në peshën deri në 73 kg. Jam jashtëzakonisht i qartë dhe i palëkundur në mendje se çfarë kërkoj nga kjo sfidë. Ndjej se pas vetes sime kam miliona zemra kuq e zi që më përkrahin dhe kjo do të jetë forca ime më e madhe dhe për të nderuar vlerat e Shqipërisë në botë jam gati të derdh gjak dhe djersë. Kam marrë qindra mesazhe nga shqiptarë anë mbanë botës këto ditë dhe akoma më shumë më shtohet besimi dhe forca drejt një suksesi në këtë garë. Shihemi nesër dhe me besimin në Zot me vete shpresojmë që të kapim një rezultat historik!”, shkruante dje Briken Calja, në një postim në profilin e tij në rrjetin social “facebook”.
Petrov ishte shumë afër finales, por…
Rusi Matvei Petrov që përfaqësonte Shqipërinë në këtë Olimpiadë, ishte shumë pranë një rezultati historik në gjimnastikën artistike, konkretisht në garën e kalit. Rusi u rendit me pikë në vend të nëntë, një pozicion poshtë listës së 8 më të mirëve që do t’u jepej shansi të garonin më 2 gusht për titullin olimpik. Edhe pse shanset teorike se mos dëmtohet ndonjë para tij e ai të futet në garë ekzistojnë, vështirë se mund të ndodhë praktikisht kjo gjë. Gjithsesi, vendi i nëntë në Olimpiadë është i pranueshëm dhe një rezultat i mirë. Nuk duhet të harrojmë se rusi Petrov i ka sjellë Shqipërisë një medalje ari europiane e një ari botërore në dy vitet e fundit.