Pamje të reja janë publikuar nga aksioni i policisë pranë ‘Shkollës së Bashkuar’ në Tiranë, ku Forcat Speciale reagon edhe ndaj gazetarit Ergys Gjençaj i cili po filmonte operacionin.
Në pamjet e publikuara shihet momenti kur gazetarët po filmojnë policët e maskuar dhe me armë, që i kërkojnë një mjeti luksoz të hapë derën, por shoferi shtyp gazin dhe largohet, duke rrezikuar jetën e tyre.
Menjëherë pas largimit të mjetit luksoz, policia iu drejtohen gazetarëve Ergys Gjençaj dhe Klodiana Lala.
- Efektivët i marrin celularin dhe shtrijnë në tokë gazetarin Gjençaj, ndërsa ndërhyn gazetarja Klodiana Lala. Në video dëgjohet kjo e fundit, teksa iu thotë policëve se Gjençaj është gazetar dhe duhet ta lënë të lirë.
Pjesë nga debati i gazetares Lala me efektivin:
Klodiana Lala: O zotëri, jemi gazetarë.
Efektivi: Jo, jo s’je gazetare fare para operacionit të policisë.
Klodiana Lala: Është kolegu im ai zotëri.
Efektivi: Mos u afro, hera e parë dhe e fundit që afrohesh, se do quhesh bashkëpunëtore, lëre tani. Zhduku!
Klodiana Lala: Është kolegu im o vëlla, si e shtrini në tokë. Lëre kolegun tim, ç’punë ke ti.
Efektivi: Keni ardhur në momentin e ndërhyrjes. Vini na pengoni.