Analisti Mentor Nazarko i ftuar në një lidhje Live për “News 24” ka deklaruar dje se në shtator Shqipërisë i duhet një qeveri me bazë të gjerë. Për Nazarkon, Ramës në këtë mandat të tretë i duhet të rishpikë veten me një imazh të ndryshuar dhe në qeveri të marrë personalitete teknike apo nga diaspora. Ai thotë se nuk dihet se çfarë po gatuan Rama përpara vjeshtës, por Nazarko siguron se kryeministri po kërkon të ndryshojë imazhin e cenuar dhe goditur nga skandalet apo akuzat e opozitës. “Nëse Rama kërkon të paraqesë një imazh, thellësisht dhe cilësisht të ndryshuar i duhet qeverisje me bazë të gjerë, personalitete teknike apo nga diaspora. Ajo që ka thënë z.Veliaj është parathënëse e asaj që është zhvillim i ri në mandatin e tretë. Rama është shmangur pas fitores nga përdorimi i gjuhës agresive ndaj kundërshtarit, po zhvillon në mënyrë periodike edhe konsultime për përfshirjen e gjakut të ri të kombit në ekipin qeverisës apo në ekipin administrativ. Kjo është e dobishme, kombëtarisht e vlefshme”, tha Nazarko. Ai u shpreh më tej se një bashkëqeverisje mund të ndihmojë Bashën të forcojë pozitat. Sipas gazetarit Nazarko, ka shumë çështje që mund të bëjnë bashkë Ramën dhe Bashën. “Nëse do të kemi një dinamikë të qeverisjes me bazë të gjerë, të pajtimit kombëtar, mund të shohim Bashën brenda një skenari të ri që mund ta fuqizojë elektoralisht. Unë mendoj që mirëkuptimi PS-PD nuk lidhet vetëm për presidentin, sepse Rama nuk e ka tërhequr fjalën që s’ka vijë të kuqe për asgjë. Nuk kemi ende vendim të GJK për Presidentin, pra që Metës i ndërpritet mandati dhe kemi parë se ai është konstruktiv, është në formë, nuk është tërhequr me pushime. Skenari i qeverisjes me bazë të gjerë e sjell PD në dritë të re dhe më të pëlqyeshme elektoralisht”, tha ai.







































