Google search engine
Home Politike Drejtesi 5 vite nga nisja e reformës në drejtësi, ja 154 emrat e...

5 vite nga nisja e reformës në drejtësi, ja 154 emrat e shkarkuar, nga gjyqtarët e “21 Janarit” e “Gërdecit”, te ata që shpëtuan Metën

0
266

Ditën e djeshme u shënuan plot 5 vite nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi. Mesnatën e 21-22 korrikut, mazhoranca dhe opozita u bënë bashkë ku me 140 vota kaluan ndryshimet që kanë mbajtur në ankth për 5 vite politikën. Edhe pse gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët e nisën me sportivitet këtë reformë, tani pas 5 viteve ka shumë që janë trembur. Në kuadër të 5 viteve, gazeta po bën një bilanc të asaj se çfarë ka ndodhur deri më tani. Padyshim që procesi më i suksesshëm është ai i vetingut. Edhe pse kishte shumë skeptikë, vetingu ka ecur dhe sot janë jashtë sistemit të gjithë ata emra që njiheshin në publik si të korruptuar. Deri në këto momente, kanë kaluar në skanerin e KPK plot 421 gjyqtarë dhe prokurorë. Nga këta, 174 janë konfirmuar në detyrë, 154 janë shkarkuar dhe 56 kanë dhënë dorëheqjen para vetingut. Po ashtu KPK ka marrë 8 vendime për pushimin e procesit, në 25 raste nuk ka pasur vendim dhe në 3 raste magjistrati është pezulluar për 1 vit nga sistemi. Pra nëse marrim të shkarkuarit dhe të dorëhequrit, kemi mbi 200 emra që janë larguar nga sistemi, nga rreth 750 magjistratë që ka Shqipëria, ndërkohë që jemi në mes të vetingut.

Spastrimet e bujshme

Vetingu boshatisi tërësisht Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, pasi nga të gjithë anëtarët vetëm Vitore Tusha dhe Ardian Dvorani dolën të pastër, pjesa tjetër nuk justifikonin pasurinë. Edhe pse Gjykata e Lartë duhet të gjykonte me seriozitet dosjet e bujshme të pushtetarëve dhe të vinte drejtësi, rezultatet e vetingut tregojnë të kundërtën. Gjyqtarët që kanë pasur në dorë dosje të nxehta si “21 Janari”, “Gërdeci”, videoja Meta-Prifti, çështjen e ish-guvernatorit Ardian Fullani, etj., sot janë jashtë sistemit të drejtësisë. Gjyqtarët që gjykuan dosjen e “21 Janarit” ishin Guxim Zenelaj, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca dhe Edmond Islamaj. Por sot asnjëri prej tyre nuk e vijon më detyrën. Guxim Zenelaj ka dhënë dorëheqjen, duke i shpëtuar kështu vetingut, ndërsa Artan Zeneli, Tom Ndreca, Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Selimi janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Nga ana tjetër, Artan Zeneli njihet edhe si gjyqtari që kundërshtoi kolegët e tij duke dhënë votën pro lirimit të Tom Doshit, i arrestuar asokohe për kallëzim të rremë dhe si gjyqtari që kishte në dorë fatin e Ermal Hoxhës, nipit të ish-diktatorit. Sakaq, Edmond Islamaj ka gjykuar edhe dosjen e ish-guvernatorit Ardian Fullani, i cili fitoi lirinë nga Gjykata e Lartë. Një tjetër çështje e bujshme që ka qenë në duart e anëtarëve të Gjykatës së Lartë është edhe ajo e Gërdecit. Pjesë e trupës gjykuese për këtë dosje kanë qenë Shkëlzen Selimi dhe Admir Thanza, por sot të dy janë të shkarkuar.

Të tërhequrit nga vetingu

Nga të gjithë ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë, ka edhe nga ata që dhanë dorëheqjen në një kohë kur procesi i vetingut kishte nisur për ta. Ata janë Arjana Fullani, Guxim Zenelaj, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako. Që të pestë këta emra kanë gjykuar dosje të bujshme, ku vlen të përmendim videon Meta-Prifti. Pjesë e trupës gjykuese që i dha pafajësinë Metës kanë qenë Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj, por sot nuk e gëzojnë më postin e tyre për shkak të frikës nga procesi i vetingut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here